Analisti, gazetari dhe publicisti nga Tirana, Mero Baze, ka folur në emisionin Debat Plus me Ermal Panduri në RTV Dukagjini ka treguar për librin e tij “Republika e Parë”.
Autori, Mero Baze ka thënë se libri tij është një histori politike e Kosovës, ndërsa ajo është hartuar gjatë viteve 1990 deri më 1999.
“Ajo që kuptoja kur i lexoja dokumentet e Qeverisë së Bujar Bukoshit, për hartimin e librit, e kuptova se të gjitha palët e kishin një gjë të përbashkët, të gjithë konsideronin se shtetin e kishin bërë”, ka thënë Baze.
“Vetëdija shtetërore te shqiptarët e Kosovës më ka mahnitur sepse gjatë viteve të ’90-ta ata e kishin vetëdijen e plotë” për atë, ka deklaruar tutje publicisti, Baze.
Më tej ai ka thënë se shqiptarët e Kosovës kanë pasur një sjellje të jashtëzakonshme gjatë viteve të ’90-ta, ku kanë pasur një idealizëm e vullnetarizëm për shtetin e tyre.
“Shqiptarët kanë jetuar si popull i ndarë nga Jugosllavia. Kanë jetuar në mënyrën e vetë, edhe në momentin kur kanë gjetur hapësirën, ata kanë vetdeklaruar shtetin tyre”, ka theksuar më tej ai.
Sipas Baze, shqiptarët e Kosovës kanë funksionuar brenda atyre institucioneve paralel që i kishin krijuar gjatë viteve të ’90-ta sikur ta kishin shtetin e tyre real.