BDI kërkon ndërhyrjen e NATO-s: Të ndërpritet spastrimi i shqiptarëve nga strukturat komanduese të ushtrisë

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj vendimeve të fundit të presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, për ndryshimet në strukturat komanduese të ushtrisë, duke i cilësuar ato si një goditje ndaj përfaqësimit të shqiptarëve dhe sigurisë kombëtare.

Sipas BDI-së, ky vendim dobëson strukturën komanduese dhe përjashton shqiptarët nga pozitat vendimtare në ushtri.

“Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësimin e thellë dhe indinjatën lidhur me vendimet e fundit të Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova për ndryshimet në strukturat komanduese të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Këto veprime jo vetëm që margjinalizojnë shqiptarët, por gjithashtu cenojnë drejtpërdrejt integritetin dhe sigurinë e strukturave tona mbrojtëse.​

Zhvendosja e gjeneralit Besnik Emini nga posti i Komandantit të Komandës së Operacioneve—një pozicion kyç që mbulon rreth 80% të kapaciteteve operative të ushtrisë—drejt një pozite administrative në Ministrinë e Mbrojtjes, përbën një goditje serioze ndaj rolit të shqiptarëve në ushtri.

Kjo lëvizje dobëson strukturën komanduese të ushtrisë dhe rrezikon sigurinë kombëtare.​

Për më tepër, emërimi i kolonel Lulzim Nuredini në pozitën e Komandantit të Komandës për Trajnim dhe Doktrinë, duket si një përpjekje për të maskuar këtë padrejtësi.

Vendosja e një oficeri shqiptar në një pozicion me ndikim të kufizuar nuk kompenson përjashtimin e udhëheqësve shqiptarë nga komandat operative kritike”, thuhet në reagimin e BDI-së

BDI theksoi se këto vendime bien ndesh me Marrëveshjen e Ohrit, e cila garanton përfaqësim të drejtë dhe ndërtimin e një ushtrie shumëetnike. Për këtë arsye, partia i ka bërë thirrje NATO-s dhe aleatëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të ndalojnë atë që e cilëson si një spastrimi të shqiptarëve nga strukturat komanduese të ushtrisë.

“Përjashtimi i udhëheqësve ushtarakë shqiptarë nga pozicionet kyçe minon parimet bazë të marrëveshjes paqësore të Ohrit, të cilat janë thelbësore për një forcë ushtarake kohezive dhe efektive.

Në dritën e këtyre zhvillimeve, BDI i bën thirrje urgjente NATO-s dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që të shqyrtojnë me kujdes këto veprime, të cilat jo vetëm shkelin parimet e përfaqësimit të drejtë, por gjithashtu komprometojnë gatishmërinë operacionale dhe sigurinë e forcave tona të armatosura.​

Kërkojmë rishikim dhe anulim të menjëhershëm të këtyre vendimeve për të siguruar që udhëheqja jonë ushtarake të reflektojë përbërjen shumëetnike të shtetit tonë dhe të ruajë standardet më të larta të kompetencës dhe përfshirjes”.

Shija e redaktorit

Përurohet investimi i Dukagjinit në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në...

Fëmijët e nivelit parashkollor në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, kishin festë vetëm një ditë para ditës së mësimdhënësve të tyre. Atyre, iu është...

Nesër, shtëpia botuese “Dukagjini” promovon librin “Shumica e poezive” nga...

Libri “Shumica e poezive” nga autori Tom Lanoye do të promovohet nesër, më 28 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini”...

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Të fundit nga rubrika