BE: Ende herët për komente rreth shtetit të Urdhrit Bektashi

Përfaqësuesit e BE-së dhe të Gjermanisë thonë se është ende herët për të bërë deklarata lidhur me çështjen e mikroshtetit të Urdhrit Bektashi

Qendra e Urdhrit Bektashi në Tiranë

Lajmi për planet krijimin e një shteti sovran të urdhrit bektashi shiit sufi në Tiranë, të cilat kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i shpalli duke folur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara kanë shkaktuar reagime të ndryshme në radhët e ekspertëve. Rama tha se enklava sovrane, që do t’i ngjasojë Vatikanit, do të jetë një “qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”.

Ende herët për deklarata

I pyetur për planet për mikroshtetin e Urdhrit Bektashi ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, tha në një prononcim për Deutsche Welle, se është ende herët për të bërë deklarata lidhur me këtë çështje.

Baba Mondi Fotografi: Philippe Lissac/Godong/IMAGO

“Ka shumë hapa të brendshëm që duhet të ndiqen përpara se kjo çështje të shtrohet për diskutim në tryezë. Dhe nuk është e dobishme që ta diskutojmë apo ta komentojmë në këto momente. Ne kemi shumë simpati për Urdhrin Bektashi. E kam vizituar disa herë Baba Mondin, por pyetja: nëse shteti është prezantimi i duhur dhe a do ta njohë komuniteti ndërkombëtar atë, është krejtësisht diçka tjetër” – tha për Deutsche Welle-n ambasadori gjerman në Tiranë.

BE: Jo komente në këtë fazë

Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri nuk preferoi të bëjë komente rreth çështjes. “Nuk kemi komente në këtë fazë. Liria e mendimit, e ndërgjegjes dhe e fesë është e sanksionuar në nenin 10 të Kartës së BE-së për të drejtat themelore. Në përgjithësi BE-ja mbështet tolerancën dhe dialogun ndërfetar. BE-ja nuk ka kompetencë për të rregulluar çështjet fetare” – u tha në reagimin për mediat.

I themeluar gjatë shekullit të trembëdhjetë në Perandorinë Osmane, Urdhri Bektashi e zhvendosi qendrën e tij në Tiranë që prej vitit 1929.

Qeveria shqiptare planifikon të ndërtojë në sipërfaqen prej 27 hektarësh, mikro-shtetin e quajtur “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”, i cili do të ketë kufijtë, administratën dhe pasaportat e tij./DW

Të fundit nga rubrika