BE-ja dhe NATO-ja “kërkojnë punëtorë”

Janë katër pozita që duhet të mbushen këtë vit - ajo e presidentit të Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, që aktualisht mbahen nga Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, si dhe ajo e shefit të politikës së jashtme të BE-së, të cilën, tash e pesë vjet, e mban Josep Borrell

FOTO:AFP

Brukseli është mbushur me thashetheme derisa përgatitet për zgjedhjen e disa pozitave të larta, si në institucionet e Bashkimit Evropian, ashtu edhe në NATO.

Janë katër pozita që duhet të mbushen këtë vit – ajo e presidentit të Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, që aktualisht mbahen nga Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, si dhe ajo e shefit të politikës së jashtme të BE-së, të cilën, tash e pesë vjet, e mban Josep Borrell.

Në një pjesë tjetër të kryeqytetit belg, NATO-ja, po ashtu, kërkon zëvendësim për Jens Stoltenbergun në pozitën e sekretarit të përgjithshëm. Norvegjezi do të largohet nga ky post pas një dekade, raporton Radio Evropa e Lirë.

Tri pozitat e BE-së janë të lidhura me njëra-tjetrën, pasi ato vendosen nga 27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, gjatë negociatave që zhvillojnë me dyer të mbyllura.

Për këtë qëllim tashmë janë planifikuar dy samite të BE-së: më 17 dhe 27 qershor.

Procesi është i ndërlikuar, pasi duhet të zgjidhen tre persona që reflektojnë balancë në gjini, përkatësi politike dhe gjeografi, edhe pse perimetri i shteteve anëtare të BE-së është i turbullt herë pas here.

Është e zakonshme që presidenti i Komisionit Evropian të vijë nga ai grupim politik që fiton më shumë vota në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që do të zhvillohen në të gjithë bllokun nga data 6 deri më 9 qershor.

Në katër zgjedhjet e fundit, më e madhja ka qenë Partia Popullore Evropiane (EPP) e qendrës së djathtë. Sipas sondazheve, ajo pritet të dalë e para edhe këtë herë.

Kandidatja kryesore, e zgjedhur në kongresin e EPP-së në Bukuresht javën e kaluar, është Von der Leyen. Logjika tregon se ajo mund t’i sigurojë edhe pesë vjet të tjerë në krye të Komisionit Evropian.

Në anën tjetër, presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, njoftoi këtë javë se do të garojë për shef të NATO-s, dhe kjo mund ta komplikojë peizazhin edhe më shumë.

Pozita e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s është zyrtarisht e ndarë nga pozitat në BE.

Por, duke marrë parasysh se 23 nga 27 shtetet anëtare të BE-së i përkasin gjithashtu aleancës ushtarake dhe se sekretari i përgjithshëm i NATO-s duhet të jetë evropian, të dyja organizatat janë duke kërkuar “talente” në të njëjtën pishinë politike.

Burimet në NATO thonë se do të kishin dashur t’i përfundonin kërkimet për personin e tyre në prill – shumë kohë përpara Samitit të NATO-s, që do të mbahet në Uashington, në muajin korrik.

Gjithçka dukej e sigurt disa javë më parë, kur anëtarët kryesorë të aleancës, si: Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe rreth 17 vende të tjera – kryesisht në Perëndim – u rreshtuan pas kryeministrit holandez në largim, Mark Rutte.

I konsideruar si person me përvojë, i pëlqyer në Uashington dhe adekuat për t’u marrë me Donald Trumpin, ai dukej se ishte një zgjedhje e mirë. Por, shkaktoi zemërim te lindorët.

“Lindorët” këtu nuk nënkuptojnë konceptin gjeografik apo politik. Por, mbulojnë vendet e ish-bllokut sovjetik ose ish-Jugosllavisë, që iu bashkuan BE-së (dhe NATO-s) në 25 vjetët e fundit – Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia, si dhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Asnjë sekretar i përgjithshëm i NATO-s nuk ishte ndonjëherë nga ndonjëri prej këtyre vendeve. Dhe, në vitin 2019, kur BE-ja zgjodhi për herë të fundit tri kokat e saj, krahu lindor u anashkalua plotësisht.

Në fakt, i vetmi “lindor” që ka mbajtur një pozicion të lartë në Bruksel, ishte kryeministri aktual i Polonisë, Donald Tusk, i cili ishte president i Këshillit Evropian nga viti 2014 deri më 2019. Pra, një nga katër pozitat e lira në vitin 2024, duhet të shkojë vërtet në lindje.

Kjo është arsyeja përse Iohannis e hodhi kapelën e tij në ring.

Kanë qenë tashmë tre sekretarë të përgjithshëm të NATO-s nga Holanda.

Holanda ka luftuar për të shpenzuar 2% të bruto prodhimit të brendshëm në mbrojtje – një synim ky i NATO-s për më shumë se një dekadë, të cilin shumë vende lindore, përfshirë Rumaninë, e kanë arritur.

Dhe Rutte – ndonëse është mbështetës i Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë, në vitin 2022 – mund të konsiderohet se ka qenë “i butë” ndaj Rusisë.

Mbështetja e tij për Rrjedhën Veriore 2 të Gazpromit është një shembull. Nga ana tjetër, shumë “lindorë” kanë paralajmëruar për rrezikun e një Kremlini luftarak dhe kjo tashmë është vërtetuar.

Burimet e NATO-s mendojnë se Rutte do t’ia dalë. Veprimi i Iohannisit u pa si “i dëshpëruar” dhe, madje, shkaktoi pak bezdi, sepse procesi i përzgjedhjes mund të zvarritet tani me muaj.

Disa ishin mjaft të hutuar me planin e tij prej dhjetë pikësh, të publikuar në Politico më 13 mars, pasi përfshinte të gjitha gjërat që aleanca ushtarake tashmë po i bën.

Kur flitet me diplomatë nga disa vende lindore, ata thonë se nuk kanë asnjë mendim për asnjërin kandidat.

Pyetja, në fakt, është nëse Iohannis ishte në dijeni për popullaritetin e tij përpara se të angazhohej. Por, ka edhe dy faktorë të tjerë.

Gjëja e parë është unanimiteti. Të 32 aleatët e NATO-s duhet të bien dakord. Dhe Hungaria ka treguar tashmë se është kundër Ruttes, si pasojë e shumë grindjeve midis Hagës dhe Budapestit për çështjet hungareze të sundimit të ligjit.

Turqia nuk është prononcuar, por Ankaraja i ka pasur problemet e saj me Rutten, sidomos pas përpjekjeve të Turqisë, disa vite më parë, për të mbajtur mitingje politike në Holandë – gjë që ka rezultuar pastaj me ndalimin e disa zyrtarëve turq në Hagë.

Dhe, siç ka thënë një zyrtar i NATO-s: “Me pranimin e Suedisë në NATO, Turqia dhe Hungaria kanë treguar se janë të gatshme të shkojnë shumë larg, për të siguruar atë që duan”. Pyetja është: A e duan Iohannisin? Apo vetëm nuk e duan Rutten? Dhe, a i hap kjo rrugë një kandidati që nuk njihet ende publikisht?

Këtu vjen, pastaj, gjëja e dytë për të cilën Brukseli “flet”: Iohannis po e bën këtë për ta nxjerrë veten në “vitrinë” për një pozicion në BE.

Çështja këtu është se ai i përket EPP-së, njësoj sikurse Von der Leyen. E, nëse ajo merr postin e Presidentit të Komisionit, a mund të marrë një kandidat i EPP-së edhe diçka tjetër?

Nuk ka gjasa, pasi qendra e majtë (e quajtur S&D në Evropë) ka të ngjarë të përfundojë e dyta në zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe të kërkojë pozitën në Këshill ose në politikë të jashtme.

Dhe, nëse i shihni “lindorët” e tjerë të njohur që mund t’i synojnë vendet e punës në BE, shumica e tyre i takojnë EPP-së, si: kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, drejtorja bullgare menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski, homologu i tij lituanez, Gabrielius Landsbergis, dhe ai letonez, Krisjanis Karins.

Jashtë EPP-së është kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e cila u përket liberalëve.

Por, pyetja që duhet bërë me të vërtetë, është nëse Iohannis po planifikon, në fakt, grushtshtet kundër Von der Leyenit? Ajo konsiderohet si presidente e suksesshme e Komisionit, veçanërisht për shkak të mbështetjes së patundur për Kievin.

Por, njerëzit në Bruksel kanë edhe gjëra të këqija për të thënë për të: disa shtete anëtare thonë se ajo e ka bërë Komisionin shumë të fuqishëm dhe se e drejton atë me dorë të hekurt, duke mos i lënë komisionarët e tjerë të shkëlqejnë.

Dhe, pastaj, është çështja me Parlamentin Evropian. Kandidati për kryetar të Komisionit duhet të miratohet nga shumica e anëtarëve të dhomës. Von der Leyen mund ta ketë ngushtë këtë herë. Ndoshta, kjo do të thotë se është koha për një kandidat konsensusi? A mund të jetë Iohannis ky kandidat?/REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika