Bashkimi Evropian u ka kërkuar autoriteteve të Beogradit që të mundësojnë vizitën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në Serbi.
Në një reagim me shkrim, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka porositur se vizita e ministrit Sveçla në Serbi është paralajmëruar në përputhje me marrëveshjen e dialogut për vizitat zyrtare.
“Prandaj Serbia duhet të lejojë që kjo vizitë të ndodhë”, është shprehur zëdhënësi Stano.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte konfirmuar në fillim të janarit se autoritete serbe e kanë refuzuar kërkesën e bërë për vizitë në Luginën e Preshevës.
Në kuadër të dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia tashmë kanë marrëveshje për zhvillimin e vizitave zyrtare në shtete respektive.
Në këtë rrafsh, zëdhënësi Stano ka apeluar te palët që të zbatojnë në plotni dhe mënyrë të pakushtëzuar të gjitha marrëveshjet e dialogut, përfshirë marrëveshjet për vizitat zyrtare dhe lirinë e lëvizjes.
“Të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me dialog. BE-ja vazhdon të jetë e gatshme për të lehtësuar diskutimet për të gjetur zgjidhje”, porositë zëdhënësi Stano, raporton RTK Live.