Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, më shtatë nëntor të vitit 2023, u takua me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, me të cilët bisedoi për draft-statutin e ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Pas takimit me emisarin, Haradinaj doli para medieve dhe deklaroi se e “patëm mundësinë që të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit, pra që ta lexojmë në tërësi”.
Por, një gjë të tillë e mohuan Krasniqi e Haziri.
Ndonëse thanë se nuk e panë, ata theksuan se kanë kërkuar nga Lajçaku më shumë hollësi për këtë dokument.
Ndërkaq, Portali Dukagjini ka kontaktuar zëdhënësin e Punëve të Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, lidhur me prezantimin e draft-statutit gjatë takimit të Lajçakut në Prishtinë.
Nga BE-ja thonë se propozimi i tyre nuk është bërë publik pasi përpjekjet diplomatike janë në vazhdim.
“Vetëm se një propozim i ri i balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave iu paraqit partnerëve përkatës nga emisari për dialogun e Beogradit në Prishtinë gjatë vizitës së tij në rajon në fund të tetorit dhe më pas u diskutua me të dyja palët gjatë takimit të liderëve në margjinat e Këshillit Evropian muajin e kaluar”, thotë Stano për portalin Dukagjini.
Sipas tij, është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet, duke lënë të nënkuptohet se teksti i draft-statutit të Asociacionit nuk u është prezantuar liderëve opozitarë në Kosovë.
“Propozimi i BE-së nuk është bërë publik, pasi përpjekjet diplomatike janë në vazhdim. Ne kurrë nuk kalojmë dokumente zyrtare që diskutohen dhe presim të njëjtën gjë nga partnerët, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet. Është gjithashtu politika jonë e kahershme që të mos komentojmë rrjedhjet e supozuara ose raportet e mediave që pretendojnë se e kanë parë ose publikuar dokumentin”, shtoi Stano.
Ndryshe, më 21 tetor, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u është prezantuar një draft-statut për Asociacionin, që BE-ja e ka përshkruar si model modern evropian.
Ky dokument u soll në Prishtinë dhe Beograd gjatë takimeve të “Pesëshes së Madhe” apo përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Italisë, Gjermanisë, Francës dhe BE-së.
Dokumenti nuk është bërë ende publik.
Në interpelancën e tre nëntorit lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri Kurti kishte thënë se ndërmjetësit kanë kërkuar që të mos bëhet publik draft-statuti.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, pati thënë se në takim, Lajçak ka përsëritur se drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Megjithatë, Krasniqi shtoi se “ne, fatkeqësisht, nuk patëm mundësi ta shohim përmbajtjen e tij”.
Kjo u pohua edhe nga Haziri, nënkryetar i LDK-së.
“Besoj që angazhimi i tij është për t’u vlerësuar dhe ndarja e kohës për LDK-në dhe partitë e tjera opozitare është për t’u vlerësuar, përkundër që po vazhdojmë të mbahemi, në një formë apo një tjetër, në terr për shkak të moszbardhjes së dokumentit, të mosbërjes transparent së paku në parime dhe angazhime apo në orientime që duhet kryeministri i Republikës, si kryenegociator, t’ia ofrojë deputetëve në çfarëdo forme dhe popullit të Kosovës”, tha Haziri pas takimit të 7 nëntorit.
Pavarësisht se Lajçak përfundoi vizitën dyditore në Kosovë dhe nuk u deklarua për rezultatet e bisedimeve me liderët opozitarë dhe zyrtarë të tjerë në Kosovë, ai më herët ka folur për draftin e Asociacionit.
Ndërkaq, Kurti, në një intervistë pas përfundimit të Forumit të Paqes në Paris, ka treguar se cili është dallimi midis draft-statutit të ri për Asociacionin dhe atyre të mëparshëm.
Sipas tij, dallimi kryesor është korniza, themeli se ku ky draft beson se do të zbatohet dhe se të njëjtin Kurti e quan të pakrahasueshëm me të tjerët.
“Dallimi kryesor është korniza, themeli se ku ky draft beson se do të zbatohet, dhe për këtë arsye kam thënë se është i pakrahasueshëm me të tjerët. Nuk mund ta pranoj asnjëherë akuzën për zvarritje. Kam thënë së fundmi le të nënshkruajmë, kur më tha se është e rëndësishme të bëhet sa më shpejt normalizimi, thashë ta bëjmë menjëherë sonte. Vetëm nënshkrimi është garancion për pranim që më pas të zbatohet. Përkundër kritikave të mia, edhe ky draft-statut meqenëse situata është urgjente në kontinentin tonë… le ta bëjmë në Bruksel nënshkrimin menjëherë”, është shprehur Kurti.
Çka fiton Kosova?
Kurti tha se nga marrëveshja bazike Kosova përfiton njohjen de facto nga ana e Serbisë, por kjo e fundit, sipas tij, nuk po e zbaton dhe po e shkel atë.
“Në Marrëveshjen Bazike është njohja de facto, që duhet respektuar dhe zbatuar, Serbia as nuk po e zbaton, as respekton. Serbia as s’po e zbaton edhe po e shkel. Nuk më përket vetëm mua të flas si palë në anën tjetër të tryezës, i përket ndërmjetësve që ta thonë këtë gjë hapur”, tha ai.
Ai kritikoi ndërmjetësuesit se nuk po e ndëshkojnë Serbinë për shkelje të marrëveshjes.
“Nëse marrëveshja është valide, e patjetër që është valide, atëherë pala e cila e shkel, do të duhej ta dëgjonte vërshëllimën e arbitrit, referit që nuk guxon të vazhdohet me dhunim të marrëveshjes siç po bën presidenti i Serbisë, qoftë atëherë kur votoi me 24 prill kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës apo edhe atëherë kur po bën sulme terroriste e kriminale e që i sponsoron sikurse në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator”, tha Kurti.
Ai tha se mosnënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është keqpërdorur nga Beogradi.
“Unë kam insistuar në nënshkrim për shkak se, pikërisht, mosnënshkrimi është keqpërdorur nga Beogradi. Ne kemi marrëveshje dhe ajo është pjesë e konkluzioneve të mbledhjeve të Këshillit Evropian, mirëpo Serbia edhe po e shkel edhe nuk po e zbaton. Nënshkrimi është ai i cili praktikisht i anulon shkeljet e mëhershme dhe parandalon shkelje të reja. Kjo është arsyeja pse unë kam insistuar, përveç faktit që me 9 shtator të vitit të kaluar, kur ma kanë sjellë draftin e parë të marrëveshjes bazike, gjithmonë është folur se në fund bëhet fjalë për një normalizim midis palëve kontraktuese që merren vesh me nënshkrimin që japin. Pra unë kam pranuar të nënshkruaj, mirëpo nënshkrimi është pranim dhe është garancion për zbatim”, tha Kurti.
Kosova dhe Serbia në fillim të këtij viti u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit, e cila parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.