BE-ja konfirmon, takimi në Bruksel zhvillohet sot pasdite

BE-ja ka konfirmuar se rreth orës 14:00 sot përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell me ndërmjetësimin e emisarit Lajçak do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq

Takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak. Bruksel, 27 shkurt 2023.

Bashkimi Evropian (BE) përmes një komunikate për media ka konfirmuar se të enjten (sot) rreth orës 14:00, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

BE-ja ka theksuar se me Kurtin dhe Vuçiqin do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për ta shtensionuar situatën në veri në mënyrë që palët t’i kthehen zbatimit të marrëveshjeve.

“Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak do të presë sot një sërë takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel. Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e rrugëdaljes për uljen e tensioneve të tashme, në mënyrë që [palët] të kthehen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, në veçanti të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Pas takimit në kryeqendrën evropiane do të ketë një deklaratë për media nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell.

Ndryshe, Kurti dhe Vuçiq veçse kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga Borrell.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më herët gjatë 22 qershorit tha se të enjten do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.

“Biseda me të [Kurtin] nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për [Adem] Demaçin, pak për [Karl] Marx”, tha Vuçiq.

Një ditë më parë, Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Brukselit.

Ai tha se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale.

“Kam ftuar liderin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe atë të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel për takime urgjente për të gjetur një mënyrë për të dalë nga kriza aktuale. Na duhet shtensionim i menjëhershëm i situatës dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Këto janë parësore për rajonin dhe BE-në”, kishte shkruar Borrell në Twitter.

Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar para ndërtesave komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika