BE-ja mirëpret kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend, kërkon konsultim para ndryshimeve

Flamujt e BE-së

Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka Pula, për kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një deklaratë, BE-ja rikujtoi se ka shprehur vazhdimisht shqetësim të thellë lidhur me nismën për ndryshimin e këtij ligji, si para ashtu edhe pas miratimit të tij nga Kuvendi i Kosovës më 6 tetor, njofton Dukagjini.

Bashkimi Evropian theksoi se pret të konsultohet nëse diskutimet për këtë ligj rifillojnë në Kuvend, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe Presidentit të Kosovës, ku përcaktohen modalitetet për konsultimin me BE-në para ndryshimit të legjislacionit.

“Në frymën e shkëmbimit të letrave të vitit 2014 midis Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe Presidentit të Kosovës, i cili përcakton modalitetet për konsultimin me BE-në përpara ndryshimit të legjislacionit, ne presim që Bashkimi Evropian të konsultohet nëse diskutimet rifillojnë në Kuvend. Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themelore, përfshirë ato të viktimave dhe dëshmitarëve, mbeten me rëndësi parësore”, thuhet në deklaratën e BE-së.

BE-ja rikujtoi se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendimet e Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, bazuar në një marrëveshje të veçantë me Bashkimin Evropian.

Sipas deklaratës, ky institucion funksionon brenda sistemit juridik të Kosovës dhe është i përfshirë në Kushtetutën e vendit.

“Mandati aktual dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht dhe pa asnjë rezervë”, theksoi Bashkimi Evropian.

Në fund, BE-ja shprehu solidaritetin me të gjitha viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet e prekura nga mizoritë e kryera gjatë luftës.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika