BE-ja mohon se propozimi i Kurtit ishte i vetmi në tavolinë

Burimet e Bashkimit Evropian kanë hedhur poshtë pohimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se vetëm ai ka paraqitur një propozim të sekuencuar në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel. Sipas burimeve të BE-së, qysh në qershor, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kishte prezantuar një plan të sekuencuar dhe kishte zhvilluar shtatë runde të takimeve të ndara me palët

Flamuj të Bashkimit Evropian

Burimet e Bashkimit Evropian i kanë hedhur poshtë pohimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel, vetëm ai ka paraqitur një propozim të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, duke theksuar se BE-ja ka paraqitur para palëve një plan të saj për implementimin e sekuencuar.

Të enjten u mbajt rundi i radhës i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili përfundoi pa ndonjë pajtim mes palëve.

Duke rikujtuar se përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se BE-ja e ka dorëzuar propozimin e kompromisit që implementimi të shkojë paralelisht, burimet e BE-së kanë thënë se qysh në qershor i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kishte prezantuar një plan të sekuencuar dhe për të kishte pasur deri me tash shtatë runde të takimeve të ndara me palët.

Prandaj, burime nga BE-ja thonë se deklarata e kryeministrit Kurti se propozimi i tij ishte i vetmi në tryezë, është “thjesht i pasaktë”, raporton REL.

Dokumenti, në të cilin thirren burimet e BE-së, përmend që zbatimi do të niste me “Hapjen e procesit negociues për Statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë“, që nënkupton Asociacionin e Komunave.

Paralelisht, Serbia nuk do të insistonte më në përdorimin e asteriskut dhe fusnotës, apo pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale.

Pastaj do të përmbylleshin negociatat për “Statutin e instrumenteve të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës”.

Hap i radhës, sipas këtij propozimi të BE-së, do të ishte që palët të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbaheshin nga çdo formë e dhunës, apo nxitjes së dhunës.

Sipas BE-së, më pas do të vendoseshin “instrumentet e vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës“ dhe paralelisht do të ndërpriteshin strukturat e administruara nga Serbia në Kosovë dhe transformimi i tyre nën instrumentet e vetëmenaxhimit.

Kjo do të pasohej nga njohja e dokumenteve dhe simboleve shtetërore.

Si hap i radhës do të ishte marrëveshja për një udhërrëfyes të obligueshëm për zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog.

“Formalizimi i statutit të Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë” do ta përbënte hapin e radhës, pasuar nga aranzhimet praktike për shkëmbimin e misioneve të përhershme. Serbia, pas kësaj, nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, ndërsa Kosova do të kompletonte procedurën e brendshme për mbrojtjen e objekteve kulturore dhe fetare serbe.

Po ashtu, sipas propozimit të BE-së, do të vendosej një grup i veçantë i punës, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, për implementimin e neneve të marrëveshjes. Kurse, pas kësaj, do të pasonte organizimi i konferencës së donatorëve dhe përgatitja e projekteve nga palët.

Në fund, sipas këtij propozimi të BE-së, do të nisnin negociatat për marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve.

Ky dokument në të cilin thirren burimet e BE-së, mban datën e 19 korrikut të këtij viti.

Takimi i së enjtes mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, u mbajt me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Borrell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Lajçak.

Takimi që kishte në agjendë zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat sipas Borellit.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika