Negociatorët e Bashkimit Evropian kanë dështuar që të arrijnë marrëveshje mbi embargon ndaj naftës ruse.
Megjithatë, sipas një zyrtari të bllokut, do të vazhdojnë përpjekjet për të arritur një pajtim para nisjes së samitit të BE-së, që do të mbahet më 30 maj.
Shtetet e BE-së po diskutojnë për një propozim, sipas të cilit, shtetet anëtare do të pranonin të vendosnin ndalesë për furnizimet me naftën ruse që vijnë përmes detit për në BE, deri në fund të vitit, shkruan Reuters.
Përjashtime do t’iu mundësoheshin disa shteteve si, Hungarisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke, që të pranojnë naftë përmes tubacionit rus Druzhba, që është i gjatë katër mijë kilometra.
Më 2021, Rusia ka dërguar afër 720 mijë fuçi në ditë të naftës së papërpunuar në rafineritë evropiane përmes tubacionit të saj kryesor në rajon, krahasuar me 1.57 milion fuçi në ditë përmes dërgesave me anije në portet e Baltikut, Detit të Zi dhe Arktik.
Shumica e dërgesave përmes tubacioneve shkojnë në Gjermani dhe Poloni, por këto dy shtete kanë lënë të kuptohet se do të tentojnë të ulin varësinë e tyre nga furnizimet ruse, pavarësisht çdo veprimi që mund të ndërmarrë BE-ja.
Liderët e BE-së do të takohen më 30-31 maj për të diskutuar për sanksionet e reja të mundshme kundër Moskës, përfshirë edhe embargon ndaj naftës, për të ndëshkuar Rusinë për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.