BE-ja po humb durimin me Kosovën dhe Serbinë

Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ka thënë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të marrin fund

Pamje nga takimi i fundit në Bruksel





Bashkimi Evropian ka nisur ta humbë durimin me Kosovën dhe Serbinë, ka shkruar mediumi “Deutsche Welle”, të martën e 13 dhjetorit.

Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, të hënën, pas mbledhjes me ministrat ka thënë se “kjo situatë duhet të marrë fund”.

“Ne nuk jemi më të gatshëm ta pranojmë këtë”, ka thënë Borrelli.

Sulme ndaj Policisë së Kosovës, zyrtarëve të Komisionit qendror të Zgjedhjeve, pjesëtarëve të EULEX-it, shok-bomba e sulme me armë, e kanë përcjellë këto ditë veriun e Kosovës.

Serbët lokalë në shenjë proteste kanë bllokuar rrugët në drejtim të pikave kufitare Jarinjë e Bërnjak, që janë mbyllur përkohësisht.

“Këshilli i ministrave të jashtëm u kërkoi të dyja palëve që të heqin dorë nga provokimet dhe t’i japin fund dhunës”, ka thënë Josep Borrell.

BE-ja ka paralajmëruar se është e gatshme të dërgojë më shumë personel për misionin e EULEX-it, nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Diplomatët e BE-së kanë mirëkuptim për zhgënjimin e Borrell-it, sepse vetëm një javë më parë në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë në fakt u zgjidh grindja mes Serbisë dhe Kosovës lidhur me targat.

Por paqja e ndërmjetësuar nga Josep Borrell nuk zgjati shumë.

Të hënën, i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme prerazi bëri thirrje, që palët të kthehen sërish në tryezën e bisedimeve me ndërmjetësimin e BE-së.

Borrell, teksa ka folur për situatën e krijuar nga serbët në Kosovë, ka thënë se të dyja palët janë të gatshme që ta deeskalojnë situatën në veri.

Në një prononcim për media, para nisjes së punimeve të Këshillit të ministrave të Punëve të jashtme të Unionit, Borrell ka thënë se pritjet ishin që pas marrëveshjes për targat të ketë qetësi.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës, Borrell i quajti të papranueshme.

“Shqetësuese është Kosova. Menduam se gjërat u qetësuan pas marrëveshjes për targat, por sërish serbët e Kosovës, pas arrestimit të një ish-polici serb u përgjigjën me shumë probleme nëpër rrugë, duke i bllokuar ato, madje duke hedhur shok-granata ndaj disa prej zyrtarëve tanë policorë. Kjo është e papranueshme. E di që të dyja palët duan ta deeskalojnë situatën. Fuqishëm i thërras ato që ta bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë Borrell.

Ai ka theksuar se ishte në kontakt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe përfaqësuesin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Sipas Borrell, të dyja palët duhet t’i kthehen dialogut.

Ai shtoi se kjo nuk është mënyra e duhur për të arritur marrëveshje apo vazhduar bisedimet, duke kërkuar zgjidhje.

“Në këtë rast unë isha në kontakt me kryeministrin Kurti, Miroslav Lajçakun dhe presidentin Vuçiq. Kjo prishje e rendit publik, kjo dhunë nuk janë të përballueshme. Ata duhet t’i kthehen dialogut, duhet ta tejkalojnë tendencën për t’u përballur në rrugë e krijuar bllokada. Kjo nuk është mënyra për të arritur marrëveshje apo vazhduar bisedimet e për të kërkuar zgjidhje, e për të vazhduar procesin e normalizimit në të cilin ata janë të angazhuar”, shtoi Borrell.

Serbët lokalë në veri të Kosovës ngritën barrikada më 10 dhjetor, në shenjë kundërshtimi lidhur me arrestimin e Dejan Pantiqit, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Në Kosovë është thënë se ai kishte organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri më 6 dhjetor.

Që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.

Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës. Më 8 dhjetor, një polic u plagos lehtë, ndërkaq të shtunën, Policia tha se në tri raste ka pasur të shtëna drejt zyrtarëve policorë nga “grupet kriminale”, duke shtuar se policët janë kundërpërgjigjur me zjarr.

Për shkak të situatës në veri të Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendosi që të shtyjë zgjedhjet lokale në katër komunat veriore për prillin e vitit të ardhshëm.

Paraprakisht, zgjedhjet ishin caktuar që të mbaheshin më 18 dhjetor në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Këto komuna, që nga nëntori kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjes së tyre.





Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika