Ministrat e energjisë të BE-së kanë rënë dakord që vendet e tyre të reduktojnë përdorimin e gazit në rast se Rusia ndalon furnizimet.
Pas bisedimeve të martën e 26 korrikut, anëtarët e BE-së kanë rënë dakord që vendet duhet të reduktojnë vullnetarisht përdorimin e gazit me 15% nga gushti në mars.
“Ky nuk ishte një mision i pamundur!”, ka shkruar në Twitter Republika Çeke, e cila mban presidencën e radhës të BE-së.
“Në një përpjekje për të rritur sigurinë e furnizimit me energji të BE-së, vendet anëtare arritën sot një marrëveshje politike për një reduktim vullnetar të kërkesës për gaz natyror me 15% këtë dimër,” ka thënë BE.
“Qëllimi i reduktimit të kërkesës për gaz është që të bëhen kursime përpara dimrit, në mënyrë që të përgatiten për ndërprerje të mundshme të furnizimit me gaz nga Rusia, e cila vazhdimisht përdor furnizimet me energji si armë.”
Marrëveshja thotë se reduktimi i kërkesës për gaz do të bëhet i detyrueshëm nëse shpallet një “alarm i Unionit”, nëse siguria e furnizimit arrin nivelet e krizës.
Megjithatë, BE-ja ka thënë se disa vende që nuk janë të lidhura me linjat e tubacioneve të gazit të vendeve të tjera anëtare do të përjashtohen nga çdo urdhër i detyrueshëm i reduktimit të gazit, pasi nuk do të jenë në gjendje të marrin furnizime alternative.
Shtetet të cilat nuk janë të lidhura me sistemin evropian të energjisë elektrike dhe që varen shumë nga gazi për prodhimin e energjisë elektrike janë gjithashtu të përjashtuara, ka shtuar BE-ja, në mënyrë që të shmanget rreziku i një krize të furnizimit me energji elektrike.
Marrëveshja vjen pasi firma ruse e energjisë Gazprom ka njoftuar se kishte reduktuar edhe një herë rrjedhat e gazit në Gjermani për të lejuar punën në një turbinë në tubacionin Nord Stream 1, raporton BBC.
Tubacioni, i cili pompon gazin nga Rusia në Gjermani, ka punuar shumë nën kapacitetin për javë të tëra dhe Ukraina ka akuzuar Moskën për një “luftë gazi” kundër Evropës.
Gazprom ka shkurtuar plotësisht furnizimin me gaz për Bullgarinë, Danimarkën, Finlandën, Holandën dhe Poloninë, për shkak të refuzimit të tyre për të përmbushur një urdhër të Kremlinit për të paguar faturat e tyre në rubla, në vend të euro ose dollarë.
Rusia ka furnizuar BE-në me 40% të gazit të saj vitin e kaluar, dhe që nga pushtimi i Ukrainës, liderët evropianë kanë zhvilluar bisedime se si të reduktojnë varësinë e saj nga karburantet fosile ruse.
“BE është e bashkuar dhe solidare,” ka thënë Jozef Síkela, ministër çek i industrisë dhe tregtisë, në shpalljen e marrëveshjes.
“Vendimi i sotëm ka treguar qartë se vendet anëtare do të qëndrojnë kundër çdo përpjekjeje ruse për të përçarë BE-në duke përdorur furnizimet me energji si armë.
“Kursimi i gazit tani do të përmirësojë gatishmërinë. Dimri do të jetë shumë më i lirë dhe më i lehtë për qytetarët dhe industrinë e BE.”
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se perspektiva që Rusia të ndërpresë të gjitha furnizimet në BE është një “skenar i mundshëm”.
Çmimet e gazit me shumicë janë rritur që kur Rusia ka pushtuar Ukrainën në shkurt, me një ndikim negativ në faturat e energjisë së konsumatorit.