BE-ja premton të kufizojë çmimin e naftës ruse pas përshkallëzimit të Putinit

BE-ja premton të kufizojë çmimin e naftës ruse, po ashtu, Komisioni Evropian ka propozuar kufizime shtesë në tregtinë e teknologjisë së lartë si pjesë e sanksioneve për të 'bërë Kremlinin të paguajë' për luftën në Ukrainë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen





Ekzekutivi i Bashkimit Evropian (BE), ka premtuar të kufizojë çmimin e naftës ruse dhe të vendosë kufizime të mëtejshme në tregtinë e teknologjisë së lartë, si pjesë e raundit të fundit të sanksioneve për të “bërë Kremlinin të paguajë” për përshkallëzimin e luftës kundër Ukrainës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se Rusia e kishte rritur pushtimin në “një nivel të ri”, duke renditur referendumet e rreme në territorin e pushtuar nga Rusia, urdhrin e “mobilizimit të pjesshëm”, dhe kërcënimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të përdorur armë bërthamore.

“Ne jemi të vendosur të bëjmë Kremlinin të paguajë për këtë përshkallëzim të mëtejshëm,” ka deklaruar ajo.

Po ashtu, ajo ka premtuar se BE-ja do të vendosë një kufi çmimi për naftën ruse për të “ndihmuar në uljen e të ardhurave ruse, dhe për të mbajtur tregun global të qëndrueshëm”.

Foto ilustrim, rezervuari i naftës së Rusisë

Gjithashtu, Komisioni Evropian dëshiron të vendosë kufizime të mëtejshme për mallrat e teknologjisë së lartë që BE mund t’i shesë Rusisë, të tilla si kimikate të caktuara dhe komponentë të aviacionit, për të dobësuar më tej aftësinë e Kremlinit për të zhvilluar luftë.

Von der Leyen ka thënë se kushdo që ndihmoi Rusinë të shmangte sanksionet do të përballej me shtimin në listën e masave kufizuese të BE-së.

“Kjo do të ketë një efekt të madh pengues,” është shprehur ajo.

Pak para se ajo të fliste, Oleg Ustenko, një këshilltar ekonomik i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar BE-së të vendosë një kufi çmimi për naftën ruse “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Oleg Ustenko, këshilltar ekonomik i presidentit të Ukrainës

Ustenko ka thënë se Rusia po fitonte qindra milionë në ditë nga shitja e naftës, e cila po kanalizohej për të financuar luftën kundër Ukrainës, raporton The Guardian.

“Sigurisht që qëllimi kryesor është që të shkëputet regjimi i Putinit nga të gjitha burimet e mundshme të financimit. Pa dyshim që burimi kryesor i financimit për ta tani është gjithçka që lidhet me lëndët djegëse fosile”, ka shtuar ai.

Vendet e BE-së kanë shpenzuar 98.5 miliardë euro për naftën, gazin dhe qymyrin rus që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, nga të cilat më shumë 50 miliardë euro kanë qenë në naftë, sipas hulumtuesit Beyond Coal.

Ndërsa, sipas pikëpamjes së Ukrainës, paketa e sanksioneve të BE-së duhet ” tashmë të jetë e bërë”, u ka thënë Ustenko gazetarëve, duke i kërkuar Komisionit Evropian që të paraqesë propozimet sa më shpejt të jetë e mundur.

Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së u informuan nga zyrtarë të Komisionit mbi planet të mërkurën pasdite.

Foto ilustrim, një punonjës kontrollon një tub në vendin e ndërtimit të një stacioni matës gazi, pjesë e lidhjes së tubacionit midis Bullgarisë dhe Greqisë

Ndërsa, planet i paraprijnë referendumeve të rreme të organizuara nga Rusia në Ukrainën e pushtuar, BE-ja është përgjigjur duke shtuar më shumë njerëz në listën e saj të sanksioneve.

Zyrtarët që punojnë për autoritetet ruse në Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia, si dhe ata që kanë lehtësuar zgjedhjet e rreme, do të përballen me ndalimin e vizave të BE-së dhe ngrirjen e aseteve.

Propozimi i BE për një kufi të çmimit të naftës pritej gjerësisht pas një premtimi nga G7 në fillim tëmuajit shtator. Sipas planeve të rënë dakord nga ShBA-ja, Kanadaja, Japonia, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, firmat që transportojnë dhe sigurojnë naftën ruse do të jenë në gjendje të operojnë vetëm nëse i përmbahen një çmimi nën një nivel ende të pacaktuar.

Plani përfiton nga fakti se shumica e naftës ruse transportohet dhe sigurohet nga kompani që operojnë në BE dhe MB. Kufiri i çmimit, i shtyrë nga sekretarja e Thesarit të SHBA-së, Janet Yellen, dhe kryeministri në largim i Italisë, Mario Draghi, shihet si një vazhdim i domosdoshëm i vendimit të BE-së për të ndaluar 90 për qind të importeve të naftës ruse në fund të vitit.

Ndalimi i BE-së për shumicën e blerjeve të naftës së papërpunuar ruse hyn në fuqi më 5 dhjetor, me një embargo ndaj produkteve të rafinuara si nafta që pason më 5 shkurt. ShBA-ja ishte e shqetësuar se pa veprime për të kontrolluar çmimet e naftës, kostot për konsumatorët dhe bizneset do të rriteshin më pas.

Analistët kanë thënë se plani për çmimin e naftës është teknikisht kompleks dhe i pasigurt për të funksionuar, pasi Kina, India dhe Turqia, tre importuesit më të mëdhenj të naftës ruse jashtë BE-së, nuk e mbështesin idenë.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika