Bashkimit Evropian (BE), i është kërkuar të vendosë një ndalim udhëtimi për turistët rusë me disa shtete anëtare që thonë se vizita në Evropë ishte “një privilegj, jo një e drejtë njerëzore” për pushuesit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy ka deklaruar në një intervistë për Washington Post se “sanksioni më i rëndësishëm” ishte “mbyllja e kufijve, sepse rusët po ia marrin tokën dikujt tjetër”.
Sipas tij rusët duhet të jetojnë në botën e tyre derisa të ndryshojnë filozofinë e tyre.
Thirrja e presidentit ukrainas u mbështet nga kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e cila shkroi në Twitter se vizita në Evropë ishte “një privilegj, jo një e drejtë njerëzore”, duke shtuar se është koha për t’i dhënë fund turizmit nga Rusia.
Po ashtu, ajo ka bërë thirrje që të ndalojnë lëshimin e vizave turistike për rusët.
Gjithashtu, edhe kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, ka shprehur të njëjtat zhgënjime, duke thënë për programin televiziv “YLE” se “nuk ishte e drejtë që derisa Rusia po bën një luftë agresive, brutale në Evropë, ata mund të jetojnë një jetë normale, të udhëtojnë në Evropë, si turistë.”
Finlanda ka thënë më parë se një numër në rritje i rusëve kanë filluar të kalojnë kufirin prej 830 miljesh midis dy vendeve për të blerë në dyqanet kufitare dhe për të udhëtuar më tej në destinacione të tjera të BE-së që kur u hoqën kufizimet anticovid.
BE-ja ndaloi udhëtimin ajror nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës nga Moska në shkurt dhe lidhja e fundit hekurudhore e pasagjerëve, midis Shën Petersburgut dhe Helsinkit, u pezullua në mars, por rusët ende mund të hyjnë në Finlandë me rrugë.
Finlanda javën e kaluar lëshoi një plan për të kufizuar vizat turistike për rusët, por ka vënë në pikëpyetje të drejtën e saj ligjore për të vendosur një ndalim të plotë, ndërsa vendet e tjera të zonës pa pasaportë Shengen që ndajnë një kufi me Rusinë, si Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia, tashmë kanë shtrënguar në mënyrë dramatike rregullat e vizave.
Por, të gjithë kanë theksuar nevojën për një vendim në nivel të BE-së për këtë çështje pasi një vizë e lëshuar nga një anëtar i zonës nuk mund të refuzohet nga të tjerët, që do të thotë se rusët e zakonshëm që nuk janë në shënjestër nga sanksionet individuale mund të përdorin vendet e tyre fqinje si zona tranziti, duke kaluar kufirin pa asnjë pengesë në të gjithë rajonin
Ministri në detyrë i turizmit në Bullgari, Ilin Dimitrov, ka thënë të mërkurën se më shumë se 50 mijë rusë, kryesisht pronarë pronash dhe apartamentesh, shpesh janë duke udhëtuar përmes Stambollit, ku kishin vizituar vendin deri në fund të qershorit.
“Pengesat dhe biletat e shtrenjta nuk i ndalojnë ata,” ka thënë Dimitrov, raporton The Guardian, transmeton Dukagjini.
Ministrat e jashtëm të BE do të diskutojnë këtë çështje kur të takohen në Republikën Çeke në fund të gushtit.
“Në mbledhjet e ardhshme të Këshillit Evropian, kjo çështje do të ngrihet edhe më fort”, ka thënë kryeministrja finlandeze.
Po ashtu, ajo ka treguar se personal është që turizmi duhet të kufizohet.
Vendet e tjera, megjithatë, nuk janë aq të sigurt. Disa me lidhje tradicionalisht të ngushta me Rusinë, si Hungaria, ka të ngjarë të kundërshtojnë me forcë një ndalim, ndërsa shtetet anëtare me komunitete të mëdha ruse si Gjermania argumentojnë se masa do të ndajë familjet dhe do të penalizojë kundërshtarët e luftës që tashmë janë larguar.
Komisioni Evropian gjithashtu ka vënë në pikëpyetje mundësinë e një ndalimi të përgjithshëm të udhëtimit, duke thënë se disa kategori udhëtarësh, duke përfshirë anëtarët e familjes, gazetarët dhe disidentët, duhet të marrin viza në të gjitha rrethanat.
Thirrjet nga Ukraina dhe disa shtete anëtare që BE-ja të vendosë ndalimin e përgjithshëm ka sjellë një përgjigje të zemëruar nga Kremlini.
Lufta në Ukrainë: Shpërthime tronditin bazën ajrore ruse në Krime