Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe vendet anëtare, presin qëndrim më të arsyeshëm nga partnerët që presin të bëhen pjesë e BE-së.
Në një konferencë për media, Stano ka thënë se data e takimit për shtetin e Kosovës dhe Serbisë nuk është caktuar ende, për shkak që palët ende nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen deri tani.
“Data e takimit nuk është caktuar ende, për shkak që palët ende nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen deri tani. Të dy janë të ftuar dhe presim që të vijnë pa parakushte. Gjetja e një zgjidhje është në interes të popullit në Kosovë e Serbi”, ka thënë Stano.
Kjo deklaratë e Stanos vjen pasi Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të pranojnë ftesën për pjesëmarrje në takimin e krizës në Bruksel, duke mos vendosur asnjë kusht.
BE ka paralajmëruar se mospërfillja e kësaj ftese mund të ketë pasoja për palët.
Presidenti i Serbisë veçse ka refuzuar të takohet me Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.
Ai shtoi se të hënën gjatë takimit të ministrave të BE-së çështja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë në agjendë.
“Ftesa e Borrellit është ofertë dhe mundësi për ta që të dëshojnë se pas të gjithave mund të jenë konstruktivë. Nuk është ftesë për të kënaqur Brukselin, por është për nevojën që të ulen tensionet dhe për të ardhmen evropiane të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. E për këtë, askush tjetër përveç Vuçiqit dhe Kurti nuk është përgjegjës”, tha Stano.
Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.
Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës, të cilët ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.
Stano u pyet edhe për situatën aktuale dhe fatin e tre policëve të Kosovës që gjenden në paraburgim në Serbi.
Ai tha se “për fat nuk ka pasur përshkallëzim të ri fizik në terren, por ende nuk kemi parë as hapa konkretë të menjëhershëm për shtensionim. Prandaj, edhe i kemi ftuar të dy liderët në Bruksel për të punuar në uljen e tensioneve dhe për hapa konkretë”.
“Deri më tani nuk kemi dëgjuar përgjigje konkrete, përveç deklaratave jokonstruktive publike të tyre”, tha Stano.
“Në këtë moment po përqendrohemi në thirrjen e Borrellit që liderët të vijnë në Bruksel. Varësisht se si do të shkojë ky takim, do të shohim më pas se si do të veprohet. Veprimet e të dyja palëve do të reflektohen edhe në diskutimin e ministrave, e pastaj edhe në rrugëtimin evropian të tyre”, përfundoi Stano.
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania i kanë bërë thirrje Serbisë që të lirojë menjëherë tre policët e Kosovës.