Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, teksa e ka dënuar vendimin e gjykatës së Mianmarit (Burmas), për të ndëshkuar ish-lideren, Aung Saan Suu Kyi me gjashtë vjet shtesë burgim, nën akuzat për korrupsion, e ka konsideruar vendim të padrejtë.
Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka bërë thirrje për respektim të “dëshirës së popullit”.
“E dënoj vendimin e padrejtë ndaj Aung San Suu Kyi-së për gjashtë vjet shtesë burgim dhe i bëj thirrje regjimit të Mianmarit që menjëherë dhe pakushte ta lirojë atë, të gjithë të burgosurit tjerë politikë, si dhe të respektohet dëshira e popullit”, ka shkruar Borrell.
I condemn the unjust sentence of Aung San Suu Kyi to an additional six years of detention, and call on the regime in #Myanmar to immediately and unconditionally release her, as well as all political prisoners, and respect the will of the people.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) August 15, 2022
Suu Kyi, është dënuar me 11 vjet burgim për shkak të akuzave tjera që rëndojnë mbi të, prej kur ushtria e ka rrëzuar nga pushteti përmes një puçi në shkurt të vitit 2021.
Ushtria pretendon se zgjedhjet që i ka fituar Suu Kyi kanë qenë të manipuluara.
Ajo është dënuar për posedim ilegal dhe importim të radio-lidhjeve si dhe shkelje të rregullave për luftim të pandemisë së Coronavirusit.