Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar për tensionet që janë krijuar ditëve të fundit në pjesën veriore të Kosovës. Këto tensione, BE i konsideron si rezultat i veprimeve nga të dyja anët.
“Kjo është natyrisht shumë serioze dhe është pikërisht rezultat i përshkallëzimit, të cilin po e shohim javëve të fundit. Është po ashtu vërejtje sesi veprimet e të dyja anëve çojnë deri te kjo situatë” ka thënë një zyrtar i BE-së në kushte anonimiteti, shkruan REL.
“(Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit), EULEX, tashmë është duke e ndihmuar Policinë e Kosovës, pas dorëheqjeve masive. Italia, për shembull, ka dërguar përforcime para disa javësh. Kemi thënë në prononcimet tona se EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë që ndihmon Policinë e Kosovës, por ky mision nuk mund të kompensojë 100 për qind hapësirën e zbrazët që është krijuar me largimin e policëve me përkatësi etnike serbe”, ka vijuar tutje.
Sipas këtij burimi, EULEX-i është duke bashkëpunuar në terren edhe me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje vazhdimisht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, dhe në përmbushjen e obligimeve të tyre që dalin nga marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësim të BE-së në Bruksel.
BE-ja ka thënë, po ashtu, se palët duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që çojnë deri te tensionet dhe që të gjitha mospajtimet t’i adresojnë përmes dialogut.