Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar të punojë ngushtë me komunën e Prishtinës dhe çdo komunë të Kosovës.
Hamza ka thënë se unaza e jashtme e Prishtinës duhet të mbështetet me financim nga qeveria.
“Sado që të kushtojë, do të jetë financim nga niveli qendror. Përveç kësaj, me kryeqytetin duhet të zgjidhet edhe çështja e transportit. Kam biseduar me ekspertë të fushës dhe ata më kanë rekomanduar që zgjidhja më e mirë është tramvaji”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se nuk kemi zhvillim të balancuar rajonal.
“Përveç faktit që po përballemi me emigracionin jashtë Kosovës, kemi edhe një fenomen tjetër qytetet e vogla po zbrazen dhe presioni po vjen në Prishtinë”, ka thënë ai.
Hamza ka thënë se komunat e vogla, kushdo që i qeverisë le t’i qeveris në mënyrën më të mirë të mundshme, porse ato kanë resurse të limituara për të realizuar projekte të mëdha.
“Prandaj, niveli qendror, përmes ministrive të linjës dhe financimit direkt duhet t’i mbështesë komunat, duke u lehtësuar dhe përmirësuar jetën në ato zona. Kjo do t’u mundësonte qytetarëve që të jetojnë në komunat e tyre, pa u detyruar të largohen. Përndryshe, zbrazen qytete të tëra dhe pastaj presioni bie mbi kryeqytetin dhe qytetet e tjera përreth”, ka thënë Hamza.