Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të akuzuar për spiunazh për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA), janë deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar që po mbahet këtë të hënë.
Shabani e ka mohuar fajësinë për veprën penale të spiunazhit, ndërsa Qerimi, përveç mohimit të akuzës për spiunazh, ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.
Pas deklarimit të tij, Shabani është kthyer nga kamerat duke bërë simbolin me gisht, të njohur nga ish-presidenti Hashim Thaçi.
Gjyqtari e ka aprovuar pranimin e fajësisë së Qerimit dhe ka vendosur që aktgjykimi të shpallet në fund të gjykimit.
Më 5 mars, në Gjykatën e Prishtinës seanca e shqyrtimit fillestar ishte ndërprerë pasi që pas leximit të aktakuzës nga prokurori special Bekim Kodraliu, gjyqtari Rrahman Beqiri i pyeti të akuzuarit nëse e kanë kuptuar aktakuzën, mirëpo i akuzuari Bedri Shabani kërkoi kohë nga Gjykata që ta lexojë atë duke theksuar se e kishte pranuar pak para fillimit të seancës.
Prokuroria pretendon se ka prova që Shabani ishte aktiv edhe ditën e sulmit terrorist në Banjskë, ku takoi një pjesëtar të policisë, të cilit i dha informata jorelevante dhe iu ankua se vazhdimisht po jep por nuk po merr informata nga policia.
Ai sipas aktakuzës ka pasur kontakt edhe me pjesëtarin e BIA-s dhe ish-shefin e policisë së Ferizajt, Bogolub Janiçeviq, i cili sipas prokurorisë ishte i përfshirë në masakrën e Reçakut.