Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka dekoruar me titullin “Kalorësi i Urdhrit të Flamurit”, ambasadorin amerikan, William Walker.
Sipas Begajt, ambasadori Walker është një personalitet ndërkombëtar, diplomat dhe humanist, i pari që ekspozoi në mbarë botën si “një krim kundër njerëzimit” masakrën e Reçakut, ku u masakruan dyzet e pesë qytetarë të pafajshëm nga trupat ushtarake dhe paraushtarake të regjimit të Millosheviqit, gjë që solli reagimin e menjëhershëm të komunitetit ndërkombëtar.
“Për të mos harruar krimet e së shkuarës si edhe në sfondin e agresionit të pajustifikuar rus në Ukrainë, për të ruajtur paqen dhe për t’u lënë një botë më të mirë fëmijëve tanë, vlerësojmë personalitete si Ambasadori Walker, shembull dhe mbrojtës i jetës, lirisë dhe prosperitetit të qytetarëve të Kosovës, të rajonit e të kombit tonë”, thuhet tutje.
Në mëngjesin e 15 janarit 1999, forcat serbe hynë në fshatin Reçak dhe bastisën shtëpitë, duke vrarë 45 civilë shqiptarë.
Diplomati amerikan, William Walker, i cili në atë kohë ishte shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, pas një dite të masakrës, kishte vizituar atë zonë dhe u bë dëshmitari i parë ndërkombëtar që raportoi për gjenocidin serb në Kosovë.