Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë së hënës së pesë shtatorit ka nderuar artisten Rita Ora me titullin “Naim Frashëri”.
“Kënaqësi të nderoja sot me titullin e lartë “Naim Frashëri” artisten e mirënjohur Rita Ora, për kontributin e dhënë në lartësimin e vlerave artistike dhe njerëzore përmes artit. Mirënjohje për aktivitetin dhe rolin e saj si ambasadore në çështje me ndjeshmëri të lartë kombëtare dhe globale”, shkruan Begaj.

Tutje, presidenti Begaj ka shprehur konsideratën e tij për të gjithë përkushtimin e artistes Rita Ora për artin dhe kulturën.
Begaj ka përfunduar duke thënë se e ka inkurajuar që të sjellë për botën, por edhe për kombin tonë “shembullin se si arti vendos ura komunikimi në të gjitha dimensionet, bashkon njerëzit dhe shëron zemrat”.
