Begaj pas takimit me Osmanin: Kosova e pavarur e ka bërë rajonin më të sigurt

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë takimit me homologen e tij kosovare, Vjosa Osmani, e ka uruar në emër të të gjithë shqiptarëve për 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Pamje nga takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj në oborrin e Kuvendit të Kosovës me ceremoni shtetërore. Ata më pas vazhduan për në zyrën e Presidencës.

Begaj nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, ka thënë se Kosova e pavarur, jo vetëm që i ka dhënë shtetasve të saj dinjitetin e merituar dhe të shumëpritur shtetëror, por njëkohësisht e ka bërë rajonin më të sigurt.

“Kosova e pavarur i ka dhënë jo vetëm shtetasve të saj dinjitetin e merituar dhe të shumëpritur shtetëror, por njëkohësisht e ka bërë rajonin tonë më të paqtë e të sigurt, si dhe kombin shqiptar të lirë të rigjejë rrugën e munguar padrejtësisht të bashkëpunimit kombëtar”, ka shkruar ai.

Po ashtu, Begaj ka thënë se gjatë takimit me homologen e tij e ka uruar në emër të të gjithë shqiptarëve për 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Pamje nga takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj.

Ndër të tjera, ai ka thënë se për të është kënaqësi të jetë në Prishtinë më rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Kënaqësi e veçantë të jem në Prishtinë me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë. Urova në emër të të gjithë shqiptarëve Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, për këtë përvjetor kaq të rëndësishëm. 15 vite janë shumë pak për një komb, e për më tepër për një komb të lashtë. Por këto 15 vite Pavarësi të Kosovës kanë demonstruar në mënyrë shembullore e të sintetizuar vlerat më të mira e shumë shekullore të kombit shqiptar”, ka shkruar ai.

Po ashtu, ai ka thënë se gjatë takimit me Osmanin ka vlerësuar ecurinë e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërshtetërore, duke i konsideruar ato jo vetëm vëllazërore e të një natyre strategjike, por edhe shumë dinamike.

“Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës është unikale për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të të dy shteteve”.

Presidenti Begaj po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë.

Ndërkohë, pasdite, Begaj do të pritet në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika