Janë bërë dy vjet qëkur janë arrestuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa ende nuk ka filluar procesi gjyqësor ndaj tyre.
Procedura paraprake është karakterizuar me akuza të mbrojtjes drejtuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me pretendime për fshehje të provave shfajësuese, redaktime të shumta në materiale dhe vonesa në nxjerrjen e dokumenteve.
Njohës të proceseve gjyqësore thonë se këto dy vjet janë përcjellë me ballafaqime të mëdha në mes të palëve.
Avokati i akredituar në Gjykatën Speciale, Artan Qerkini, ka vlerësuar se procesi në procedurën paraprake është zvarritur tej mase.
Ai shton se procesi është përcjellë me parregullsi të shumta, ku Prokuroria nuk i është përmbajtur afateve për dorëzimin e provave.
“Kohëzgjatja e paraburgimit është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, përkatësisht me standardet e njohura nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut sepse thjesht të pretendohet se ekziston rreziku i ikjes për të pandehurit. E kam fjalën për zotin Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli, dihet se ata janë dorëzuar vullnetarisht në tribunal në Gjykatën Speciale, është me të vërtetë qëndrim që është në kundërshtim me rregullat e të menduarit logjik”, shkruan KP.
Deri më tani, ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë zhvilluar 15 konferenca për ecurinë e çështjes.
Aktakuza nën pretendimin për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ishte konfirmuar në tetor të vitit 2020, e cila u pasua me arrestimin e tyre dhe dërgimin në Hagë.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhën në qendrën e paraburgimit në Hagë, derisa presin të fillojë procesi gjyqësor ndaj tyre. Ata janë deklaruar të pafajshëm para gjykatësit të procedurës paraprake.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj tyre, ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Në kohën kur ata kishin udhëtuar për Hagë, Hashim Thaçi mbante postin e presidentit gjersa Kadri Veseli mbante atë të deputetit dhe kryetarit të PDK-së, kurse Rexhep Selimi vetëm atë të deputetit.
Pas arrestimit nga Specialja, ata kishin lëshuar të gjitha funksionet politike publike.
Ndonëse ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzoheshin për krime lufte në Kosovë, Prokuroria Speciale ka kërkuar që nga aktakuza të hiqen pretendimet për krime në qytetin e Ferizajt, si rrjedhojë e pamjaftueshmërisë së provave.
Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, në një letër të dërguar Kryeprokurorit të Hagës, Jack Smith, ka treguar se në listën e dëshmitarëve mbrojtës për rastin janë edhe tetë ish-diplomatë, figura ushtarake të NATO-s, të OSBE-së, UNMIK-ut e misione të tjera, të cilat kanë qenë në Kosovë gjatë kohës së luftës.
Thaçi, Veseli, Selimi and Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 4 dhe 5 nëntor 2020.
Seanca e parë e Thaçit dhe Krasniqit u mbajt më 9 nëntor të vitit 2020, seancë e udhëhequr nga gjyqtari Nikola Giju. Përgjatë tyre, ata u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës.
Ndërkaq, seancat e Veselit dhe Selimit u mbajtën në ditët vijuese, përkatësisht më 10 dhe 11 nëntor. Njëjtë sikurse të lartcekurit, edhe Veseli e Selimi u vetëdeklaruan të pafajshëm.
Kush vizitoi në Hagë ish-krerët e UÇK-së?
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në fillim të kësaj jave.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Mustafa, nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook.
“Më gëzoi fakti që i gjeta mirë, të mbushur me idealizëm; të bindur në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë të UÇK-së, të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën”, ka shkruar Mustafa gjersa bën të ditur se edhe qeverisja aktuale në vend ishte një ndër çështjet e biseduara me ta.
Ndërkaq, Mustafa nuk ishte e vetmja figurë politike që vizitoi ish-krerët e UÇK-së. Më 21 qershor të këtij viti, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i kishte vizituar ata.
Konjufca kishte deklaruar se gjatë vizitës së tij në Hagë, ku po mbahen në paragjykim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është takuar me të gjithë pos Salih Mustafës.
Ai kishte theksuar se qëndrimi i tij për Gjykatën Speciale nuk ka ndryshuar.
“Sikur kam menduar kur kam qenë në opozitë edhe tash në pushtet, mendoj që kjo gjykatë është e padrejtë. Gjendja e ish-krereve të UÇK-së është e mirë. Edhe ata mendojnë që po mbahen padrejtësisht atje. Kam takuar të gjithë, përveç Sali Mustafës. Siç e dini për Salih Mustafën është një proces më i ndërlikuar, ai ka qenë në një izolim deri para një muaji”, është shprehur Konjufca.
Konjufca për vizitën në Hagë: I kam takuar të gjithë, përveç Sali Mustafës
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, të martën e 29 marsit kishte udhëtuar drejt Hagës, ku ishte takuar me ish-zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ish-komandantin, Rexhep Selimi.
Ndonëse vullneti i saj qëndroi që të takohej me të gjithë ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët po akuzohen në Hagë, ajo nuk ishte pranuar për takim nga ish-presidenti Hashim Thaçi, dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Haxhiu udhëton për në Hagë, nuk pranohet nga Thaçi e Veseli për takim
Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërvana dhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, gjithashtu, ka vizituar ish-krerët e UÇK-së.
Delagacioni i klerikëve fetarë vizitoi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të tjerët, duke shënuar kështu vizitën e parë të një delegacioni ndërfetar, përgjatë dy viteve, paraburgim për të akuzuarit për krime lufte.
Gjithashtu, trajneri i xhudos, Driton Kuka dhe kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, kanë vizituar më 21 tetor ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kuka e Kelmendi kanë vizituar krerët e UÇK-së në Hagë: Besojmë fuqishëm në pafajësinë e tyre