Tek serbët e komunave veriore të cilët janë shumicë mund të mos ketë vullnet për zgjedhjet të reja, por jo edhe tek institucionet e Republikës së Kosovës.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka përfunduar hartimin e Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni…Ky udhëzim jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejtë të garantuar nga ligji për vetëqeverisje lokale. E drejtë kjo që siguron ushtrimin e vullnetit qytetar në raport me Kryetarin e Komunës, të cilin e zgjedhin drejtpërdrejtë vetë qytetarët.”, ka thënë Elbert Krasniqi, Ministër i Pushtetit Lokal.
Për të nisur iniciativën e rrëzimit të një kryetari komune, sipas udhëzimit administrativ, duhet vullneti i së paku tre qytetarëve, të cilët krijon një grup nismëtar.
Fillimisht ky grup duhet njoftojë kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe mund të njoftoj edhe KQZ-në.
Pas procedurave pesë ditore që kalojnë përmes kryesuesit, nismëtarët e kuptojnë sa është 20% e listës së votuesve.
Ndërsa brenda 30 ditësh duhet të mblidhen nënshkrimet, afat ky që mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë, po nga ky grup.
Në rast se konstatohet se kërkesa është mbështetur nga së paku 20% e votuesve të regjistruar, organizohet votimi për largimin e kryetarit.
“Nëse shumica e votuesve të komunës përkatës nga lista përfundimtare e votuesve, pesëdhjetë për qind plus 1 (50% + 1 votë), votojnë për largimin e kryetarit, konsiderohet se kryetari i komunës është larguar nga funksioni”, thuhet në Udhëzimin Administrativ.
Por, nëse dështon një nismë e tillë, atëherë për të tentuar përsëri rrëzimin e kryetarit duhet të pritet 12 muaj.
Përkundër gjithë kësaj parapërgatitjeje ligjore, zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, thotë se shkuarja e sërishme në zgjedhje ndërlidhet me Listën Serbe.
“Përderisa nuk ka një alternativë serioze të konsoliduar kundrejt Listës Serbe nuk ka vullnet që qytetarët të marrin iniciativë për tu kthyer prapa atje ku ishin. Pra që të rikthehet në pushtet sërish Lista Serbe.”, ka thënë Arbër Vokrri, Zëvëndësministër i MAPL-së.
Megjithatë nga shoqëria civile thonë se udhëzimi administrativ ka probleme kushtetuese, ligjore dhe teknike, prandaj zgjidhja e duhur, sipas tyre, është dorëheqja e kryetarëve në veri.
“Së pari Udhëzimi Administrativ tregon vetëm këtë procedurën teknike të mbledhjes së nënshkrimeve, gjë që është lënë një afat shumë i shkurtër 30 ditor dhe pastaj 15 ditë në rast se nuk mblidhet 20 për qindëshi i numrit të caktuar, që janë votues të regjistruar vitin e fundit. Për komuna të caktuara do të jetë problem ky numër dhe po ashtu për komuna të vogla…”, ka thënë Naim Jakaj, hulumtues në IKD.
Pikërisht për zgjedhjet është diskutuar në takimin që kreu i Qeverisë pati me Shefin e Misionit të OSBE-së, Machel Devenport, të martën.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se kryeministri Albin Kurti ka falënderuar mysafirin për mbështetjen e OSBE-së në hartimin e udhëzimit administrativ. E në të njëjtën kohë, Kurti ngriti shqetësimin për kërcënimet dhe frikësimet që Beogradi po bën ndaj serbëve në Kosovë, e së fundmi edhe ndaj policëve të rinj.