Përmes ngjarjes së sotme të organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), mbështetur nga MINT-i, përkatësisht nga agjencia KIESA, në prag të festës së 28 nëntorit, është shënuar hapja e “Javët e Biznesit Kosovar 2023″, me moton e veçantë “Blej produkte vendore”.
Kjo ngjarje ka për qëllim kryesor të përforcojë krijimtarinë vendore me produkte me vlerë përmes mbështetjes me politika dhe instrumente të ndryshme qeveritare, krijimit të lidhjeve në mes të bizneseve me diskutime në vijim në mes të përfaqësuesve qeveritarë dhe komunitetit të biznesit, për instrumentet dhe skemat mbështetëse për prodhuesit vendorë, për të shpalosur potencialin e tyre në industrinë prodhuese, me rol kryesor për zhvillim ekonomik, social e mjedisor në Kosovë.
“Në kuadër të këtij aktiviteti, u ekspozuan produktet e mbi 50 bizneseve prodhuese të industrisë vendore dhe të afër 40 grave ndërmarrëse si anëtare të shoqatave artizanale dhe bujqësore. Në fjalën e saj para të pranishmëve, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, tha se Kosova ka një pasuri të pashtershme të resurseve natyrore e njerëzore, të cilat përmes zbatimit të Politikës Industriale 2030, me shfrytëzim efektiv të potencialit të industrisë prodhuese, do të sjellin produkte me vlerë të lartë të shtuar në tregun vendor e ndërkombëtar dhe zhvillim e transformim më të shpejtë ekonomik në vendin tonë”, ka njoftuar MINT-i.
Ministrja Hajdari ka thënë tutje se kështu e forcojmë ekonominë dhe shtetin tonë.
Ajo ka shtuar se një ngjarje e tillë shërben si mundësi për të përkrahur e festuar talentin e pasionin e ndërmarrësve tanë, të cilët në vazhdimësi po sjellin në pah inovacionin dhe cilësinë e produkteve dhe të shërbimeve, për tregun vendor dhe ndërkombëtar.
“Konferenca e sotme, u përmbyll me një panel diskutimi me temë: “Zhvillimi dhe Promovimi i prodhimeve vendore”, ku u prezantuan instrumentet dhe skemat mbështetëse për ndërmarrësit vendor, për avancim të teknologjisë, standardizim e certifikim, dixhitalizim dhe trajnim për menaxhim të biznesit, me qëllim rritjen e prodhimit vendor industrial dhe rritjen e eksporteve për përmirësim të bilancit tregtar, me ç’rast të pranishmit patën mundësi të parashtrojnë pyetje të shumta për panelistët”, thuhet në njoftimin e MINT-it.
Aktivitetet në kuadër të Javëve të Biznesit do të vazhdojnë me konferenca, promovime, tryeza dhe forume me tema të ndryshme për zhvillim dhe promovim të mëtejmë të prodhimit vendor industrial dhe rritje të eksportit.