Shumë restorante e shërbejnë si rutinë, ndërsa disa njerëz e fillojnë ditën e tyre me ujë me limon në vend të kafesë ose çajit.
Padyshim që limonët janë të shijshëm, por, a ju bën më të shëndetshëm nëse i shtoni ata në ujë?
Shumë studime janë bërë për përfitimet e ujit dhe limonit veç e veç, megjithatë, ja disa mënyra se si trupi mund të përfitojë nga uji me limon:
Hidratimi
Uji është pija më e mirë për hidratim, por disa njerëz nuk e pëlqejnë shijen e tij në vete. Shtimi i limonit rrit shijen e ujit, gjë që mund t’ju ndihmojë të pini më shumë
Vitamina C
Agrumet si limonët kanë vitaminë C, një antioksidant kryesor që ndihmon në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimi i radikaleve të lira. Limonët nuk kryesojnë në listën e agrumeve me shumë vitaminë C, por lëngu i një limoni siguron 18.6 miligramë vitaminë C. Sasia e rekomanduar ditore për të rriturit është 65 deri në 90 miligramë
Pesha
Hulumtimet kanë treguar se antioksidantët e polifenolit që gjenden në limon zvogëlojnë ndjeshëm shtimin e peshës. Megjithatë, është e paqartë nëse rënia në peshë vjen nga fakti që njerëzit pinë më shumë ujë dhe ndihen të ngopur apo nga lëngu i limonit.
Lëkura
Vitamina C e limonit mund të ndihmojë në zvogëlimin e rrudhave të lëkurës, të pakësojë lëkurën e thatë nga plakja dhe dëmtimin nga dielli. Se si uji përmirëson lëkurën është e diskutueshme, por një gjë është e sigurt se, nëse lëkura humbet hidratimin, ajo bëhet e thatë dhe e prirur për rrudhat. Një studim laboratorik i vitit 2016 tregoi se një pije me bazë agrumesh ndihmoi në parandalimin e zhvillimit të rrudhave te minjtë.
Tretja
Disa njerëz pinë ujë me limon si një laksativ ditor në mëngjes, që t’i ndihmojë ata në parandalimin e kapsllëkut. Pirja e ujit të ngrohtë ose të nxehtë me limon kur zgjoheni mund të ndihmojë sistemin tretës
Frymëmarrja
Uji me limon shmang erën e keqe të gojës pas ngrënies. Limoni mendohet se stimulon pështymën dhe uji ndihmon gjithashtu në parandalimin e tharjes së gojës, e cila mund të çojë në erë të keqe të shkaktuar nga bakteret
Gurët në veshka
Acidi në limon mund të ndihmojë në parandalimin e gurëve në veshka.
Efektet anësore të ujit me limon
Uji me limon është përgjithësisht i sigurt për t’u pirë, por ka disa efekte anësore të mundshme. Limoni përmban acid, i cili mund të gërryejë smaltin e dhëmbëve. Për të kufizuar rrezikun, pini ujë me limon përmes një pipe dhe më pas shpëlajeni gojën me ujë të thjeshtë.
Kur bëhet fjalë për urthin, uji me limon mund të ketë ose efekt negativ ose pozitiv. Acidi limoni mund të shkaktojë urth tek disa njerëz. Të tjerët përjetojnë lehtësim nga urthi, pasi lëngu i limonit bëhet alkalin, duke zvogëluar aciditetin në tretje.
Në mënyrë që të keni ndonjë përfitim shëndetësor të ujit me limon, duhet ta pini atë vazhdimisht dhe të përdorni limonë të freskët. Për të përgatitur ujin, shtrydhni gjysmë limoni në 250 ml ujë të ngrohtë ose të ftohtë dhe mund t’i shtoni nenexhik, xhenxhefil, kanellë etj.