Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, përmes një video-mesazhi ka reaguar ndaj protestës të së dielës. Protestë, kjo e organizuar nga koalicioni “Serbia kundër dhunës” ndaj dyshimeve për vjedhje të votave në zgjedhjet e 17 dhjetorit.
Vuçiq është shprehur se nuk ndjehet i frikësuar nga këto protesta dhe se nuk do t’i lërë “ta shkatërrojnë” Serbinë.
“Unë kam qenë në tarracën e Presidencës, në vendin tim të punës, nuk kam pasur frikë prej tyre, nuk kam ikur në asnjë vend të huaj, nuk jam fshehur në asnjë bunker dhe nuk do të fshihem kurrë nga banditët, unë do të jem gjithmonë me popullin tim, do ta mbrojmë dhe ruajmë demokracinë, do ta mbrojmë dhe ruajmë paqen dhe stabilitetin në Serbinë tonë”, ka thënë Vuçiq.
View this post on Instagram
Më shumë se 30 demonstrues janë arrestuar gjatë protestës së koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” më 24 dhjetor në Beograd.
Gjatë protestës, një grup personash të maskuar kanë tentuar të hyjnë në Kuvendin e Beogradit, kanë thyer xhamat dhe dyert, ndërsa policia brenda ndërtesës ka hedhur gaz lotsjellës ndaj tyre.
Ndërsa, “Serbia kundër dhunës” ka dalë me një reagim për protestën e së dielës në Beograd.
Në një njoftim, ata kanë pretenduar se “regjimi i Aleksandër Vuçiqit tregoi edhe një herë fytyrën e tij të vërtetë, të dhunshme” duke “deputetët e popullit të hyjnë në Kuvendin e Qytetit të Beogradit”, por “i dërgoi huliganët e tyre në incidente të vërteta”.
Në njoftim thuhet se kundër qytetarëve që protestonin për shkak të zgjedhjeve të vjedhura janë dërguar njësi speciale, të cilat kanë përdorur forcë brutale.
“Këtë e dëshmojnë videot e shumta, si dhe fakti se njëri prej demonstruesve është rrahur brutalisht dhe i është thyer këmba, duke e goditur me shqelma teksa ishte shtrirë në tokë. Pas përfundimit të protestës është sulmuar nga policia edhe Radomir Lazoviq, bashkëkryetar i Frontit të Gjelbër-Majtas”, thuhet në njoftim.
“Serbia kundër dhunës” dënon dhunën e përdorur nga qeveria për t’i prishur demonstratat e qytetarëve që kërkojnë anulimin e zgjedhjeve, si dhe “përpjekjen për t’i paraqitur protestat paqësore si të dhunshme”.