Hajdar Beqa, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i ftuar në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me situatën në veri të vendit. Ai ka kritikuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pasi sipas tij, ai nuk ka pasur një plan të qartë për veriun.
Sipas Beqajt, me menaxhim të dobët, Kurti i ka sjellë barrikadat, të cilat janë vendosur deri sot në veri të vendit.
“Albin Kurti nuk po shihet se ka pasur ndonjë plan për veriun, ka menduar se është lider i opozitës, jo përfaqësues. Në një shtet normal, kryeministri nëse nuk i largon barrikadat deri në fund të këtij viti, ai largohet, sepse kryeministri me menaxhim të dobët të politikave e ka prurë barrikadën”, ka thënë Beqa.
Ai ka theksuar se Kurti ose duhet të veprojë ose të largohet, pasi sipas tij, situata e krijuar sot, nuk do të ishte kësisoj nëse Kurti do të kishte koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kurti me veprimet që i ka bërë në fund të këtij viti, krejt përpjekjet e tjera që kanë qenë të faktorin ndërkombëtar dhe kombëtar i ka kthyer në zero, dhe tash nuk ka agjendë si të dalë nga situata. Duhet të veprojë, ose të veprojë ose të largohet. Kurti nëse do të koordinohej me faktorin ndërkombëtar dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk kishim ardhur në këtë situatë”, ka shtuar Beqa.
Ndër të tjera, ai ka thënë se qeveria e Republikës së Kosovës e ka obligim kushtetues që duhet të marrë veprime në mënyrë që barrikadat të largohen.
“Konsideroj që e ka obligim kushtetues Republika e Kosovës, qeveria që t’i marrë të gjitha veprimet dhe të largohen barrikadat. Unë mendoj që është obligim i qeverisë, mendoj që e ka mbështetjen e qytetarëve dhe gjitha subjekteve politike. Ne e kemi dhënë mbështetjen, e mbështesim fuqishëm qeverinë e Republikës së Kosovës për largimin e barrikadave. Unë mendoj se duhet largohen barrikadat, qeveria duhet të veprojë dhe duhet ta informojë faktorin ndërkombëtar. Qeveria përmes mekanizmave shtetërorë, duhet t’i largojë barrikadat dhe mos të lejojë provokimet që po bën Serbia”, ka theksuar Beqa.
Jo vetëm që nuk duhet të lejohen provokimet e Serbisë, Beqa u shpreh se ajo ka shfrytëzuar mosveprimet dhe mosmaturitë e qeverisë së Kosovës, duke i vendosur këto barrikada, të cilat tashmë kanë bërë më shumë se dy javë prej kur janë vendosur.
“Veriu është një sfidë më e madhe se Kosova, arsyeja mendoj se ne kemi pa sjelljet, veprimet dhe mosveprimet e qeverisë së Republikës së Kosovës, konsideroj se kanë qenë të pamatura kur ishin ato testet që i bënte qeveria për tabelat apo veprimet e tjera. Unë mendoj se veriu ka qenë problem dhe sfidë edhe në të kaluarën, veprimet e qeverive të kaluara kanë qenë të matura dhe në koordinim të plotë me akterët ndërkombëtarë, me SHBA dhe BE. Këtë situatë në të cilën kemi ardhur sot nuk është për t’u dëshiruar. Mendoj që tani mosveprimet e qeverisë së Kosovës apo mosmaturitë e qeverisë së Kosovës, i ka shfrytëzuar presidenti serb dhe grupet kriminale kanë vendosur barrikada. Tani në ditën e 18, në vend se të kemi lajme për largimin e barrikadave, ne sot fatkeqësisht i kemi edhe dy të reja në pjesët veriore”, ka thënë Beqa.
Tutje, Beqa i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të realizojë një plan operativ dhe të zbatojë kushtetutën në pjesën veriore të Kosovës, që deri në fillimin e vitit tjetër barrikadat të hiqen.
“Barrikadat janë në interes të Serbisë, Rusisë, grupeve kriminale, por jo edhe qytetarëve serbë që jetojnë në pjesën veriore. Andaj, unë i bëj ftesë qeverisë së Republikës së Kosovës që ta bëjë një plan operativ përmes këshillit të sigurisë apo me mekanizmat e vet, që ta zbatojë kushtetutën edhe në pjesën veriore, dhe barrikadat mos të jenë në fund të vitit”, ka thënë Beqa, teksa ka shtuar se heqja e barrikadave është punë e cila kryhet për një deri tri orë.
“Nuk duhet më shumë se një orë për t’i hequr barrikadat”, ka thënë ai.
Ndërkaq, i pyetur për Policinë e Kosovës, Beqa në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, u shpreh se Policia është e përgatitur dhe ka kapacitete për largimin e barrikadave, duke theksuar se ky largim mund të bëhet për një apo deri në tri orë.
“Policia e Kosovës ka kapacitete, është e përgatitur, mund të jetë funksionale, por duhet të menaxhohet mirë, fatkeqësisht që 18 ditë po keqmenaxhohet Policia. Policia e Republikës së Kosovës nuk i duhet më shumë se një orë për t’i hequr barrikadat, një dy orë për përgatitje paraprakisht, unë mendoj se Policia e ka planin për largim të barrikadave”, ka shtuar Beqa.
Ndër të tjera, Beqa u shpreh i bindur se Serbia nuk mund të futë forca në territorin e Kosovës, pasi sipas tij, ajo është e vogël në krahasim me NATO-n.
“Nuk ka asnjë mundësi që Serbia të futë asnjë forcë në territorin e Kosovës. Serbia është e vogël të luftojë me NATO”, ka përfunduar Beqa.