Beqiroviq bën thirrje që Bosnje-Hercegovina t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës

Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Denis Beqiroviq

Kryesuesi i Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Denis Beqiroviq, ka thënë të martën në Sarajevë se pret që përfaqësuesit e Republikës Sërpska nëpër institucione shtetërore t’i ndihmojnë Bosnjës në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai e ka komentuar vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka bërë të ditur në organizimin e sivjetmë të Procesit të Berlinit, se prej 1 janarit të vitit tjetër, shtetasit e Bosnje-Hercegovinës do të mund të hyjnë në Kosovë vetëm me letërnjoftime.

Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që ta rrisin bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut – dhe gradualisht t’i afrojnë ato më pranë BE-së.

“Pas këtij vendimi të marrë nga Kurti, pres që edhe brenda Bosnje-Hercegovinës, kur është fjala për përfaqësuesit e entitetit të Republikës Sërpska nëpër institucione shtetërore, që të na ndihmojnë në marrjen e hapave adekuatë për t’i zbatuar plotësisht marrëveshjet që ka nënshkruar Bosnje-Hercegovina në kuadër të Procesit të Berlinit”, ka thënë Beqiroviq, pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili gjendet për vizitë në Bosnje.

Prej janarit të këtij viti shtetasit e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e Zonjës Schengen, por ende u duhet vizë për të hyrë në Bosnje-Hercegovinë, për shkak të kundërshtimeve të përfaqësuesve të entitetit serb, Republikës Sërpska.

Bosnje-Hercegovina nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Në konferencën për media, të mbajtur me presidentin e Shqipërisë, Beqiroviq e ka përshkruar Kurtin si “mik të mirë” dhe vendimin e tij për heqje vizash si “të pazakonshëm në këtë rajon”.

“Është e rëndësishme për gjithë Bosnjën dhe për gjithë rajonin, dhe ne duam të dërgojmë mesazh të rëndësishëm”, ka thënë Beqiroviq, kur ka bërë thirrje për zbatim të plotë të marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit.

Një prej marrëveshjeve të arritura është edhe heqja e regjimit të vizave mes Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës, por ajo nuk është ratifikuar ende nga Parlamenti i Bosnje-Hercegovinës.

Ratifikimi është bllokuar nga përfaqësues të autoriteteve të Republikës Sërpska, të udhëhequr prej partisë së Millorad Dodikut./REL

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika