Sa i përket diskutimit për hapjen e urës mbi lumin Ibër, Halit Berani, aktivisti dhe kryetari i KLDMNJ-së në Mitrovicë ka thënë se Ura e Ibrit duhet të hapet, pasi ajo lidh qytetarët në mes vete.
“Kjo urë është mirë me u hapë, se urat janë të lidhin njerëz mes vete e jo t’i ndajnë, ish dasht me u bo hapja e urës në koordinim me ata që e kanë mbyllë, e ata janë ndërkombëtarët, sepse nuk janë serbët ata që e kanë mbyllë, por Bashkësia Ndërkombëtare, dhe nëse bëhet pa koordinim me ta, nuk është në rregull,” ka thënë Berani në emisionin “Rreth e Rrotull”.
Teksa shton se çështja e Urës së Ibrit, e cila është hapur nga politikanët, është “kokë e këmbë” politikë.
“Ata që e mendojnë dhe që e kanë hapë këtë debat edhe në parlament nuk kanë qenë kurrë në Urë të Ibrit, por e kanë parë vetëm në televizor dhe nuk dinë çështjen e kësaj ure si dhe pse u mbyll, kjo çështje dihet se është fund e krye politikë.”
Berani shtoi se Ura e Ibrit nuk duhet hapur pa koordinim me ndërkombëtarët.
Në anën tjetër, aktivistja Afërdita Sylaj-Shehu është shprehur se kjo urë megjithëse është e hapur për këmbësorët, do të ishte më mirë të mos hapej për veturat.
E sipas saj, më mirë është që veturat të mos futen në qendër të qytetit.
“Ura mbi lumin Ibër është e hapur për këmbësorët, por jo edhe për veturat, po diskutohet që të hapet për veturat, diskutimi me sa po e kuptoj unë është më shumë simbolike sesa që me të vërtetë me hapë për veturat, unë jam kundër që të hapet për veturat, për shkak se është mu qendra e qytetit, dhe të gjitha qytetet në botë shikojnë t’i hekin veturat prej qendrës së qytetit, ne po mendojmë t’i fusim veturat në qendër të qytetit,” ka thënë Shehu.
Teksa këtë çështje edhe Shehu e cilëson si “çështje politike”.
“Tani që është hapë kjo çështja e hapjes së urës, mendoj se më shumë është politike, tash që është vit elektoral, mendoj që është më shumë politike dhe e bëjnë që të marin më shumë vota nga qytetarët,” ka thënë Syla-Shehu në emisionin “Rreth e Rrotull”.