Ligjëruesi universitar e doktoranti i ekonomisë, Berat Rukiqi që nga sot është bërë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Si ekonomist i dalluar e si aktivist i pandalshëm i angazhimit publik për një shoqëri të zhvilluar, Berati me gjithë bagazhin e tij intelektual e profesional do t’i japë vlerë projektit tonë politik”, ka shkruar Abdixhiku.
Tutje, ka thënë se Berat Rukiqi ka magjistruar në Bruksel mbi Politikat Ekonomike të Bashkimit Evropian; gjersa vazhdon studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës dhe, siç është shprehur ai, si udhëheqës i Odës Ekonomike të Kosovës, ai ka artikuluar në vazhdimësi pikëpamje të një ekonomie të lirë e të fuqishme
“Ai i njeh mirë të gjitha sfidat e sektorit privat, sikurse dhe njeh mirë domosdoshmërinë e kohës për një ambient që ankoron vendin tonë në stade të reja zhvillimore”, ka vijuar ai.
Abdixhiku ka shtuar se LDK-ja është e lumtur që, sipas tij, si adresë e vetme e njerëzve profesionistë, po shton radhët e veta secilën ditë.
“LDK është e lumtur që – si adresë e vetme e njerëzve profesionistë – po shton radhët e veta secilën ditë. Gjatë vitit të fundit, sikurse Berati, LDK-së e strukturave tona u janë bashkuar aktivistë të shoqërisë civile, ligjërues akademikë, deputetë e kryetarë komunash. Të gjithë bashkë, do t’i japim vendit një zgjedhje politike të pastër, profesionale e ndërtuese të së ardhmes”.