Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, e ka quajtur një akt antikushtetues dhe të rrezikshëm propozimin e Partisë Socialiste, për kandidaturën e Bajram Begajt si president të Shqipërisë.
Berisha përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se neni 167 i kushtetutës ia ndalon ushtarakëve të shërbimit aktiv, të zgjidhen apo emërohen në detyra të tjera shtetërore apo të marrin pjesë në veprimtari politike.
“Ky nen pra, ua ndalon rreptësisht ushtarakeve aktiv te zgjidhen apo emërohen në detyra te tjera. Ndaj dhe ky emërim është antikushtetues dhe i rrezikshëm për të sotmen dhe të ardhmen e demokracisë shqiptare. Kjo shkelje e rëndë e Kushtetutës zhyt vendin në një krizë të rëndë kushtetuese. Kjo se së pari Kushtetuta në përcaktimin e saj është e qartë si kristal dhe është taksative në nenin e saj, se ushtaraku aktiv nuk mund të emërohet dhe zgjidhet në detyra të tjera jashtë Ushtrisë”, ka shkruar Berisha.
Sipas Berishës, nëse gjenerali Begaj ka pasur ambicie politike, ai do të duhej që prej kohësh të hiqte dorë nga funksionet ushtarake. Ai është shprehur se dorëheqja e tij nga pozita që tashmë e mban nuk e bën atë ushtarak joaktiv.
Berisha ka kërkuar që Begaj të largohet urgjentisht nga ushtria, sepse sipas tij, tashmë është person i rrezikshëm për vendin.
“Për qëndrimin e tij të dy ditëve te fundit ai provon se nuk njeh ligj as Kushtetutë për ambiciet e tij për pushtet, ndaj dhe duhet larguar urgjent nga Ushtria si preson i rrezikshëm per vendin”, ka thënë Berisha.
Ndryshe, të shtunën në ora 18:00, kandidatura e propozuar nga PS-ja, pritet të dërgohet në Kuvendin e Shqipërisë, ku i nevojiten 71 vota për t’u zgjedhur president i Shqipërisë.