Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka thënë se është momenti adekuat që roli i Aleancës Veriatlantike (NATO), në terren të bashkëngjitet në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Berisha thotë se dialogu duhet t’i përshtatet gjendjes reale.
“Pas aksionit, lirisht mund ta quajmë diversant të njësive serbe (në ndërkohë do të behet emërtimi i sakte i tyre), situatës ne terren i është shtuar edhe komponenta ushtarake prandaj edhe dialogu duhet t’i akomodohet gjendjes reale. Besoj, është momenti i duhur që roli i NATO-s në terren të bashkëngjitet edhe ne dialog”, shkroi ai.
Po ashtu, Berisha potencon se gjendja status quo, në tentimin që veriu i Kosovës të shndërrohet në një lloj konflikti të ngrirë, si fenomen prodhon kriza sikurse ndodhi edhe në Banjsko të Zveçanit.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka përfunduar bastisjet nëpër shtëpitë dhe objektet në dhe përreth fshatit Banjskë të Zveçanit, dy ditë pas përleshjeve të armatosura me një grup personash, ku mbeti i vrarë një polic dhe tre sulmues të dyshuar.
Më 25 shtator, Policia e Kosovës ekspozoi armët dhe pajisjet e tjera që tha se i gjeti në Banjskë.
Po ashtu, më 26 shtator, institucioni i rendit bën të ditur se në Banjskë kishin konfiskuar edhe më shumë armatime të llojeve të ndryshme.