Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) kishte vendosur që studiuesi dhe diplomati Bejtullah Destani të largohej nga Ambasada e Kosovës në Romë të Italisë, dhe të kthehet në këtë dikaster që të sistemohet për “nevojat e brendshme” ende pa e përfunduar mandatin e tij në Itali.
E këtë vendim ish-ambasadori i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Mal Berisha, e ka quajtur paradoksal dhe absurd, për të cilin në gjuhën e popullit, sipas tij, thonë “prish bucela e të bëj kanaçe”.
Berisha ka potencuar se studiuesi Destani i ka kushtuar jetën zbulimit të dokumenteve historike që kanë të bëjnë me udhëtimin e kombit shqiptar ndër shekuj dhe të shtetit shqiptar në kohët e vona.
Po ashtu, Berisha, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka renditur se si Destani ka dhjetëra libra të botuara për historinë dhe kulturën e popullit tonë.
Më tej, ai ka thënë se Destani është përkrah emrave më të shquar të studiuesve britanikë, që i bëjnë nder historisë, kulturës dhe artit shqiptar, të trashëguar ndër shekuj.
Por, Berisha ka deklaruar se mjaftojnë kontributet e fundit të studiuesit Destani që ai të inkurajohej, promovohej madje edhe të dekorohej nga të dy qeveritë; ajo e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.
“Por në vend të këtyre, papritmas ai merr njoftimin nga Ministria e Jashtme e Kosovës të cilën po e perifrazoj: “Kthehuni në Prishtinë brenda një muaji, sepse na duhesh për të sistemuar dhe protokolluar dokumentet këtu në Ministrinë e Punëve të Jashtme.” Çfarë paradoksi!? Duket sikur t’i thuash një eksploratori që shkon drejt Yello Stones: ‘Shko dhe na e zbulo Kalanë e Vushtrrisë’ ”, ka shkruar Berisha në Facebook.
Ndër të tjera ai ka shtuar se ndoshta ka ende kohë për të reflektuar për këtë “vendim absurd”.
Portali Dukagjini më 24 mars kishte raportuar se sistemimi i diplomatit Destani në MPJD do të bëhet përmes një vendimi të sekretarit të përgjithshëm, vendim ky i cili duhet të nxirret më së voni deri më 30.04.2023.
Ndërsa, vendimi për kthimin e diplomatit Destani në MPJD mban datën 16 mars dhe është protokolluar një ditë pas, më 17 mars 2023.