Duke ju referuar një sondazhi të UBO Consulting, i cili e paraqet Lidhjen Demokratike të Kosovës, si partinë më të madhe opozitare në vend me 22.3%, Anton Berisha ka thënnë se, LDK përpos e para në opozitë në të ardhmen e afërt pritet të jetë edhe e para në nivel vendi.
Berisha është shprehur, se rritja e LDK-së, vjen për shkak siç i ka quajtur dështime të Qeverisë së Kosovës dhe presidencës, në krye me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, të cilët sipas tij kanë ardhur në pushtet nga përkrahja popullsitë.
“Dështimi i qeverisjes së VV në krye me Kurtin dhe dështimi i presidentes Osmani me projektin politik Guxo e kanë racionalizuar votuesin kosovar për të hequr dorë prej përkrahjes së populistëve që në pushtet u treguan oportunistë dhe jokompetentë për t’u marrë me tema serioze shtetërore dhe të papërgjeshëm në raport me nevojat e qytetarëve”, ka shkruar ai në Facebook.
Berisha tutje ka thënë se LDK duhet të mobilizohet që të dalë partia e parë. Sipas tij LDK është zgjidhja e vetme e duhur politike për Kosovën.
“Besimi në rritje për LDK-në duhet të jetë shtytje për lidershipin që të jetë edhe më veprues në struktura dhe në interaktivitet me qytetarët për t’i bindur se qasja serioze dhe reale e LDK-së është e vetmja zgjidhje politike për shtetin në këtë periudhë përcaktuese për Kosovën dhe rajonin”, ka thënë Berisha.
“Do të ishte e pafalshme që ne të mos mobilizohemi për të dalë partia e parë ngase vendi ka nevojë që gjysëmanarkinë e gjysëmkaosin që ka krijuar VV në më pak se dy vite pushtet ta largojmë nga institucionet për ta kthyer qeverisjen në shtratin institucional, ligjor e demokratik si dhe klimën ekstreme polarizuese në shoqëri ta vëmë në binarët e normalitetit”, ka vijuar ai.
Aktualisht, LDK është partia e tretë më e madhe në vend, e para është Lëvizja Vetëvendosje dhe e dyta PDK.