Ish-zëvëndësministër i Punëve të Jashtme, Anton Berisha ka shtruar pesë pyetje në lidhje me atë se kush është Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Me anë të një postimi në Facebook, Berisha vë në pikëpyetje kontributin e saj për Kosovën.
“KUSH ËSHTË Znj. DONIKA GËRVALLA… që me gjuhën e sjelljet e saj është duke hedhur helm ndaj miqve të dëshmuar të Kosovës? Kush është kjo zonjē që është duke na identifikuar si njē shoqëri me mungesë elementare edukate e kulture? Çfarë ka bërë kjo zonjë për Kosovën, a ka jetuar në Kosovë në vitet e robërisë, ku jeton sot familja e saj? Çfarë borxhi i kemi ne, çfarë borxhi i ka Kosova kësaj zonje për t’ia duruar të gjitha dëmet e saj? Çfarë borxh i kanë shqiptarët qërimit të hesapeve të leninistëve, stalinistëve, enveristëve, mugoshistëve, miladinoviqëve e të gjithë sllavo-otomanistëve për ta mbajtur kombin shqiptar të hasmuar me kontinentin âmë, Europën?”, ka deklaruar ai.
Më herët të premten, Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, masat e paralajmëruara nga Bashkimi Evropian karshi Kosovës i ka quajtur të panevojshme.
Sipas saj, nuk bëhet fjalë për bllokim të fondeve të BE-së, por për suspendim të përkohshëm.
E para e diplomacisë kosovare u shpreh se mesazhet e tilla janë të rrezikshme dhe mund t’i krijojnë përshtypjen presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se mund të vazhdojë destabilizimin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
Këto komente Gërvalla i bëri pas ceremonisë së hapjes së fushatës “Festo me zemër e jo me armë”, të organizuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.
E pyetur se a ka pasur koordinim me SHBA-të për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste, ajo nuk deshi të flasë në këtë aspekt, por tha se organizatat që ushtrojnë terror mbi qytetarët dhe institucionet nuk kanë vend në Kosovë.
Ndërsa, karshi këtij vendimi ka reaguar Departamenti i Shtetit Amerikan, të cilët thanë se ky vendim është ndërmarrë nga ekzekutivi kosovar pa koordinim me ta.
E Komisioni Evropian ka paralajmëruar një numër masash kundër Kosovës dhe ato do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment, transmeton KP.