Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, përsëri ka deklaruar se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit është skenar i përgatitur nga “ata që ulen në tavolinën e negocimit”.
Berisha në “Five” tha se ministri Xhelal Sveçla, me akuzat që po i bën ndaj prokurorisë, po dëshiron që rasti të mos zbardhet asnjëherë.
“Prokuroria nuk është lejuar të flasë, dhe tash që po mundohet ta akuzojë prokurorinë, ky nuk e ka qëllim zbardhjen e kësaj situate, ajo situatë ka qenë skenar dhe skenaristët janë ata që ulen në tavolinën e negocimit… Fakti që nuk është leju që prokuroria të flasë, tregon që është një synim që prokuroria të anatemohet, përmes akuzave ka qëllim kapjen e prokurorisë… Ky nuk është dashtë të flasë fare nëse nuk e ka një raport përfundimtar”, tha ai.
Berisha tha se raporti i MPJD-së për sulmin terrorist në Banjskë nuk jep përgjigje për pyetjet, që, sipas tij, janë të rëndësishme në zbardhjen e rastit.
“Një raport i MPJD-së vetëm e përshkruan në mënyrë pezhorative, por nuk jep përgjigje kush e lejoi gjithë atë armatim, dhe të hynë trupat. Edhe pse deputetja britanike paralajmëronte këtë se po bëhej nëpër manastire… Kush ia hapi kanalin për tërhekje pas disa orësh luftime”, tha ai.