Një makinë u përplas me një turmë njerëzish në Berlinin përendimor, gjatë ditës së mërkurë të 8 qershorit, duke e lënë të vdekur një person dhe katërmbëdhjetë të lënduar, të cilët janë në rrezik për jetë.
Aksidenti ka ndodhur në rrugën Kurfuerstendamm, pranë kishës historike Kaiser Wilhelm Memorial, rreth orës 10:30 të mëngjesit me kohën lokale, ka thënë një zëdhënës i policisë, raporton CNN.
Makina e llojit Renault, vazhdoi drejt Tauentzienstrasse, një rrugë me pemë të popullarizuara nga turistët, përpara se të dilte nga rruga dhe të përplasej për një vitrinë xhami, tha zëdhënësi Thilo Cablitz, përcjell PortaliD.
“Një burrë besohet se ka përplasur një grup njerëzish. Nuk dihet ende nëse ishte një aksident apo një veprim i qëllimshëm,” tha policia e Berlinit në Twitter, duke shtuar se shoferi po mbahej në vendngjarje.
Policia tha se shoferi, i cili është shtetas gjermano-armen 29 vjeç, po merret në pyetje.
Aktori skocez-amerikan John Barrowman, i cili ishte në vendngjarje, ka thënë se makina u anua nga trotuari dhe goditi njerëzit përpara se të përplasej në një vitrinë të dyqanit. “Kam dëgjuar zhurmën dhe përplasjen kur ishim në një dyqan dhe më pas dolëm dhe e pamë makinën”, tha ai në një video të postuar në Twitter, duke shtuar se pa një numër njerëzish me lëndime.