“Nëse e vendosni atë në përputhje me ligjet e tyre, e bën të kotë të gjithë dialogun, nëse ata vetë nuk i respektojnë, dhe Prishtina nuk e respekton Kushtetutën e saj. Nëse e respekton, nuk do të kishte ushtri të Kosovës, sepse në atë Kushtetutë thuhet që duhen pyetur serbët, por nuk janë pyetur”.
Kështu ka thënë e para e qeverisë serbe, Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Një deklaratë e tillë nga ana e Brnabiq vjen pas një deklarate nga ana e të dërguarit të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili kishte thënë se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.
Bërnabiq shtoi se Marrëveshja e Brukselit “duhet të jetë mbi të ashtuquajturën Kushtetutë”, raporton N1.
“Dje kam pasur një takim me ambasadorin amerikan Christopher Hill, kam thënë që shpresoj në qasje konstruktive, nuk shoh se ka vend për bisedë me Kurtin, ai nuk ka dëshirë”, shtoi ajo.
Kryeministrja ka thënë se ndihet e shqetësuar me deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borelll, i cili ka pohuar se nuk mund ta detyrojnë Kosovën të bëjë asgjë, gjersa ka theksuar se BE-ja është garantuese e Marrëveshjes së Brukselit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen më 18 gusht në Bruksel.
Një konfirmim i ftesës së takimit Kurti-Vuçiq që pritet të realizohet më 18 gusht të këtij viti, ka ardhur nga Përfaqësuesi i Politikë së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
I am inviting President of Serbia Vucic @predsenikrs and Prime Minister of Kosovo Kurti @albinkurti on 18 August to Brussels, to discuss the way forward between Pristina and Belgrade.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) August 6, 2022