Puna për punonjësit në Kosovë të institucioneve që financohen nga Serbia, nuk nisi si zakonisht.
Të gjithë u sollën para këtij objekti, për të pritur kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Kur ajo mbërrin, duartrokitjet nuk kanë të ndalur.
Vizitën Bërnabiq ka vendosur ta nisë në Qendrën Multimediale të financuar nga Serbia.
Për organizimin janë përkujdesur krerët kryesorë të Listës Serbe.
Brenda, Bërnabiq pasi ia hodhi një sy qendrës, mbajti një fjalim.
“Faleminderit që po qëndroni këtu, pa marrë parasysh çdo gjë që po ndodhë. Ne do të vazhdojmë të investojmë në Kosovë”, është shprehur Bërnabiq.
Bërnabiq me ironi tregoi se si u ndje kur e kaloi kufirin nga Serbia në Kosovë vetëm me letërnjoftim.
“Si jam ndier kur kam kaluar vijën administrative? Të ju them sinqerisht, jam ndjerë si në shtëpinë time”, shtoi ajo.
E para e Qeverisë së Serbisë, kishte edhe një arsyetim për vizitën e vonuar në Kosovë
“Po, më ishte ndaluar hyrja në territorin e Kosovës e Metohisë. Më vjen keq që ndodhi kështu, para së gjithash pasi kjo dëshmon sesa janë të diskriminuar serbët këtu. Nëse dëshironi të thoni se çfarëdo ndalese që të ndodhë, ne duhet t’i thyejmë barrikadat dhe të hyjmë rrugëve alternative, do t’ju kujtoj se çfarë i kishte ndodhur Marko Gjuriqit. Besoj se nuk dëshironi që një skenar i tillë të më ndodh mua, apo ndoshta dëshironi dhe insistoni kaq shumë që do të duhej të vija më herët”, ka thënë Bërnabiq.
Në Kosovë, bashkë me Bërnabiq erdhi edhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq.
“Kjo është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne. Ne do të vazhdojmë të luftojmë në periudhën që po vie. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për vizitën e kryeministres së Serbisë, por edhe për praninë e Serbisë në veri të Kosovës”, ka thënë Petkoviq.
Përveç në sallë, Ana Bërnabiq iu drejtua me fjalim edhe serbëve që e pritën këtu për disa orë, derisa shtoi se do të luftojnë për themelimin e Asociaicionit të Komunave me Shumicë Sebre.
Pas fjalimit ajo u kthye përsëri në objekt, për t’u bërë gati për nëj vizitë tjetër.
Destinacion i radhës ishte manastiri i Banjskës në Zveçan.
Përveç këtu, Bërnabiq vizitoi edhe një familje në Leposaviq së cilës Qeveria e Serbisë ia ndërtoi shtëpinë, si dhe disa fermerë të kësaj ane.