Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Fondi i Zgjerimit të Ndërmarrjeve II për Ballkanin
Perëndimor (ENEF II) janë duke lëshuar një kredi të lidhur me qëndrueshmërinë në vlerë prej 6 milionë Euro për Ujë Rugove, prodhuesi më i madh i ujit të ambalazhuar në Kosovë, për të ndihmuar kompaninë të përmirësojë konkurrentshmërinë dhe të zgjerojë operacionet e saj.
Mjetet e kredisë do të përdoren nga kompania për blerjen e një objekti të ri dhe instalimin e linjave të reja të prodhimit me kapacitet të lartë për mbushjen e shisheve prej qelqi, kanaçeve të aluminit, pako kartoni dhe fuçive të ujit. Kjo do t'i mundësojë Ujë Rugove të zgjerojë gamën e produkteve të saj duke prezantuar produkte të tilla si ujë i gazuar, ujë me shije dhe çaj.
Ky projekt paraqet shembullin e parë në Kosovë të një instrumenti financiar të gjelbër, i cili integron standardet klimatike dhe mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG), si dhe konsideratat për rreziqet klimatike dhe të ESG-së në strukturën e financimit.
Kredia ka tre objektiva mjedisore: zvogëlimin e humbjeve gjatë prodhimit të ujit; reduktimin e mbeturinave të ambalazhës; dhe futjen në përdorim të materialeve ambalazhuese në pako dhe etiketa me përmbajtje të plastikës së ricikluar në masë prej së paku 50%.
Ujë Rugove është gjithashtu e përkushtuar për zbatimin e standardeve më të larta mjedisore, shëndetësore dhe të sigurisë.
Marrëveshjet financuese u nënshkruan në [Zyrën e EBRD-it në Prishtinë] nga Drejtori Menaxhues i EBRD-it për Financat dhe Zhvillimin e NVM-ve, Claudio Viezzoli, i cili është gjithashtu anëtar i bordit të ENEF II, Shefi i Zyrës së EBRD-it në Kosovë, Sergiy Maslichenko, Drejtoresha Menaxhuese e Ujë Rugove, Shqipe Ramadani-Kelmendi, si dhe Themeluesi dhe Kryesues i Bordit të Ujë Rugove, Visar Kelmendi.
Sergiy Maslichenko tha: “Ne jemi të kënaqur të mbështesim sektorin e agrobiznesit në Kosovë duke nënshkruar një marrëveshje inovative financimi të lidhur me standardet e ESG-së për këtë projekt me liderin e tregut”.
Visar Kelmendi, Themelues dhe Kryesues i Bordit të Ujë Rugove, theksoi rëndësinë e kësaj iniciative inovatore të kredive të gjelbra, duke thënë: “Kjo kredi e lidhur me qëndrueshmërinë jo vetëm që shënon një moment kyç për Ujë Rugove por edhe për Kosovën në tërësi. Ky financim tregon përkushtimin tonë të palëkundur për reduktimin e humbjeve të ujit gjatë prodhimit, minimizimin e mbetjeve nga ambalazhi dhe përfshirjen e materialeve të qëndrueshme dhe të ricikluara në ambalazhet tona. Kjo jo vetëm që përputhet me përkushtimin tonë ndaj ruajtjes së mjedisit si dhe ndaj shëndetit dhe sigurisë, por gjithashtu vendos një standard për qëndrueshmërinë në industrinë tonë, duke demonstruar se rritja ekonomike dhe përgjegjësia mjedisore mund të ecin paralelisht.”
Duke nënshkruar në emër të ENEF II si anëtar i bordit të fondit, Claudio Viezzoli tha: “Ne jemi shumë të kënaqur që kemi Ujë Rugove si kompaninë e dytë investuese të fondit të ri dhe presim me padurim të riprodhojmë këtë instrument financimi të gjelbër me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) e tjera, në të gjithë rajonin duke i ndihmuar ato në rrugëtimin e tyre drejt ESG dhe rritjes.”
ENEF II, e cila është pjesë e Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Evropian, ofron kapital për zhvillim dhe zgjerim për kompanitë me rritje të lartë të angazhuara për të përmirësuar performancën e tyre në standardet e ESG-së në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.
ENEF II është një fond i ri investimi i krijuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE). Ai këshillohet dhe menaxhohet nga ERBD. E dedikuar për NVM-të dhe kompanitë me kapital të mesëm në Ballkanin Perëndimor, ENEF II ka siguruar 57 milionë euro kapital të përkushtuar nga investitorët e saj, të cilët përfshijnë BE-në, Bankën Italiane të zhvillimit Cassa Depositi e Prestiti dhe Bankën Zhvillimore KfW të Gjermanisë. ERBD ka dedikuar 19 milionë euro për fondin, ndërsa KfW dhe BE sigurojnë mbulimin e rrezikut të humbjes së parë.
Sektori i agrobiznesit të Kosovës ka një potencial të madh për rritje me një nën-sektor si pijet dhe kampionët si Ujë Rugove që ofrojnë produkte cilësore konkurruese në nivel rajonal.
Deri më tani ERBD ka investuar 629 milionë euro në Kosovë.