Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), të premten e 9-të nëntorit të vitit 2022, në një ceremoni i ka ndarë çmimin `Ibrahim Rexhepi`, ish-gazetares së Radio Televizionit të Kosovës (RTK) Besa Çeku-Buçinca.
Drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, në ndarjen e çmimit ka thënë se Besa Çejku-Buçinca, ka dhënë kontribut të çmuar në lëminë e gazetarisë.
Mazreku, ka shtuar se po i nderojnë dy personalitete që kanë dhënë kontribut me dekada në fushën e gazetarisë.
“Për dallim nga herët e kaluara, këtë vit kemi bërë diçka më ndryshe. Sonte do t’i ndajmë dy çmime të veçanta”, ka deklaruar Mazreku.
Kurse Besa Çeku-Buçinca, e ka falënderuar BKS-në, për çmimin e karrierës.
Ajo ka theksuar se Ibrahim Rexhepi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në gazetari.
“Jam vërtet shumë e prekur dhe e nderuar për këtë çmim të madh e që mban një emër të madh. Ibrahim Rexhepi ishte padyshim një profesionist i shkëlqyer e një personalitet i rrallë. Ibrahim Rexhepi ka lënë gjurmë në gazetarinë kosovare dhe më gjerë”, është shprehur Çeku-Buçinca.
Ndryshe prezantuesja e njohur Besa Çeku-Buçinca muaj më parë ka dhënë lajmet për herë të fundit në Radio Televizionin e Kosovës.
Ajo do të mbetet gjatë në kujtesën e shumë njerëzve pasi ishte e para që dha lajmin për bombardimet e NATO-s në Kosovë në vitin 1999.
Ndryshe ky çmim iu është ndarë edhe gazetarit Mehmet Gjata.