Besfort Shala, matematikani 22-vjeçar i cili synon të bëhet hulumtues në universitetet botërore

Besfort Shala, matematikani 22-vjeçar nga Kosova, i cili ka synime të mëdha në shkencat matematikore, ka arritur të diplomojë në një ndër Universitetet më prestigjioze në botë. Këtë thotë se e ka arritur me vetëbesim dhe punë të madhe, pasi sipas tij kurioziteti, pasioni dhe besimi i fortë janë shumë të rëndësishme në arritjen e suksesit. Ndërsa, se si i ka filluar studimet në Universitetin e Oxfordit dhe si ka qenë jeta e tij gjatë studimeve, ka treguar vetë ai për Portalin Dukagjini

Besfort Shala, matematikani 22 vjeçar nga Kosova

Matematikani 22-vjeçar, Besfort Shala, i cili ka përfunduar studimet e magjistraturës në matematikë në Universitetin e Oxfordit me notën më të lartë, do të vazhdojë suksesin e mëtejshëm, me fillimin e studimeve doktorale në Universitetin e Bristolit.

Po në këtë Universitet, Shala, gjithashtu, do të jetë i punësuar si asistent, si dhe do të qëndrojë për të paktën katër vjet.

Në intervistë për Portalin Dukagjini, Shala ka treguar synimin e tij, duke thënë se në planet e tij afatgjate, është të bëhet hulumtues në matematikë në ndonjë nga universitet në botë.

“Në vitin e ardhshëm akademik, do t’i filloj studimet doktorale në matematikë në Universitetin e Bristolit në Angli, ku edhe do të punësohem si asistent. Aty do të qëndroj për të paktën 4 vjet. Në afatgjatë, synimi im është që të bëhem hulumtues në matematikë në ndonjë universitet në botë, gjithmonë pa harruar dhe duke kontribuuar për Kosovën me aq sa mundem”, ka thënë Shala.

Universiteti i Bristolit, Angli

Fillimet e tij të studimeve, realizimi i ëndrrës

22-vjeçari nga Prishtina ka filluar mësimet e shkencave matematikore gjatë shkollës së mesme, i motivuar nga profesori i matematikës Agim Emini, dhe përmes përgatitjeve në garat komunale e kombëtare.

Gjithashtu, Shala ka përmendur edhe trajnimet në vitin e fundit të shkollës së mesme, nga profesorët, Valmir Krasniqi dhe Armend Shabani për Team Selection Test (TST), dhe për konkursin botëror të matematikës, International Mathematics Olympiad (IMO).

Ndërsa, interesimin për matematikën ai e kishte të vështirë për ta shpjeguar, por për të është diçka e natyrshme e cila shkon përtej individualitetit të tij.

“Çdo tentim besoj se nuk arrij ta shpjegoj në tërësi se çka do të thotë për mua matematika, por ndoshta mund të them se është një lojë shumë e vështirë, por e cila është shumë shpërblyese në nivel personal e ndonjëherë edhe kolektiv. Kjo e fundit, pasi i tërë avancimi ynë shoqëror ka si shkak rrënjësor përmirësimin e kuptueshmërisë sonë në matematikë”, ka thënë Shala.

Ndërkaq, ai ka cituar edhe një thënie të matematikanit Andrew Wiles, “Ndoshta do të mund ta përshkruaja përvojën time të të bërit matematikë përmes hyrjes në një shtëpi të madhe të errët. Hyn në dhomën e parë dhe është terr, tërësisht terr. Vardisesh duke u përplasur në mobilet e dhomës. Dalëngadalë, fillon të mësosh, ku ndodhet secila pjesë e mobileve. Pastaj në fund, pas afro 6 muajsh, e gjen ndërprerësin e dritës dhe e ndez atë. Papritur, çdo gjë është e ndriçuar dhe e sheh saktësisht se ku ke qenë. Pastaj hyn në dhomën tjetër të errët”, e cila sipas Shalës është shumë përshkruese për përvojën e të punuarit në matematikë.

Andrew Wiles, matematikan anglez

Shala ka thënë se matematika ka qenë lënda e tij e preferuar dhe talenti i tij nuk ka munguar, por nuk duhet të jetë i vetëm. Sipas tij, kurioziteti, pasioni dhe besimi i fortë janë shumë më të rëndësishme në arritjen e suksesit.

“Në matematikë, e sidomos matematikën jashtë garave, jo çdoherë kanë sukses ata që janë më të aftë e më të shpejtë, por ata që janë këmbëngulës e të vendosur në zgjidhjen e një problemi si pasojë e pasionit të tyre. Në këtë kuptim, unë e shoh vetën më shumë si tejet i vendosur në matematikë, sesa që pretendoj ndonjë aftësi mbi mesataren”, është shprehur Shala.

Ndërsa, synimin për të studiuar në Universitetin e Oxfordit e ka pasur që nga shkolla e mesme.

Pas përfundimit të studimeve Bachelor në matematikë, në Universitetin e Primorskës në Slloveni, ka aplikuar në programin e magjistraturës në matematikë në Universitetin e Oxfordit, ku dhe është pranuar.

Besfort Shala

Sa i përket përzgjedhjes në Oxford, sipas tij, rol të rëndësishëm në pranim kanë luajtur disa faktorë, si suksesi në studimet Bachelor si dhe në aktivitetet jashtë studimeve, si, dy medaljet e argjendta në garën ndërkombëtare për studentë “International Mathematics Competition for University Students”, propozime e zgjidhje e detyrave në revista ndërkombëtare si “American Mathematical Monthly”.

Në Universitetin e Oxfordit, në programin e magjistraturës në matematikë, Shala ka qenë i vetmi nga Kosova.

Po ashtu, ai ka treguar se mesatarja e numrit të aplikimeve në programin e magjistraturës në matematikë nga viti akademik 2019/20 deri në vitin akademik 2021/22 ka qenë 372, nga të cilët afro 50 janë pranuar.

Për të, pjesa më e vështirë ka qenë sigurimi i mjaftueshëm i mjeteve financiare, pasi sipas tij nuk ishte e lehtë që të vendosin me familjen për të kërkuar ndihmë.

“Pjesa më e vështirë ka qenë sigurimi i mjeteve financiare të mjaftueshme. Nuk ka qenë e lehtë që të vendosim me familjen të kërkojmë ndihmë, aq më tepër kur ka njerëz me arsye tejet më të forta për t’i ndihmuar”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka thënë se ka hezituar për këtë, por pas shtytjes nga familja si dhe nga profesorë të ndryshëm nga fakulteti ku ka qenë duke përfunduar studimet bazike, ka ardhur në përfundim se mundësia e studimit në Oxford nuk duhet të humbet.

“Ndihma që kemi pranuar nga njerëzit e vullnetit të mirë ka qenë e jashtëzakonshme dhe unë jam tejet falënderues ndaj secilit”, ka thënë Shala.

Besfort Shala, gjatë mësimeve në Universitetin e Oxfordit

Sa ka ekzistuar mbështetja nga institucionet e Kosovës për 22-vjeçarin?

Shala ka thënë se mbështetja e institucioneve të Kosovës ka qenë shumë e madhe, po sipas tij, burokracia ndonjëherë ka ngadalësuar procesin e përgjigjeve.

“Kam pranuar ndihmë financiare nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes sponsorizimit nga kompania EXFIS, si dhe nga Presidenca e Kosovës. Jam shumë falënderues ndaj të gjithëve”, ka deklaruar Shala.

Për kushtet e jetesës në Angli, ai ka thënë se nga shuma e siguruar përmes donacionave dhe institucioneve të Kosovës, ka qenë e mjaftueshme që ai t’i zhvillojë studimet në mënyrë komode.

Po ashtu, sipas tij,  nga kjo shumë e siguruar ka qenë e mjaftueshme që t’i mbulojë edhe shpenzimet e udhëtimit.

“Familja ndihen shumë krenarë dhe të lumtur që kemi arritur synimin pas një mundi shumë të madh nga të gjithë. I kam vizituar sa herë kam ardhur në Kosovë vullnetarisht për të ndihmuar në organizimin e garave të matematikës në kuadër të Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës”, është shprehur Shala.

Universiteti i Oxfordit, Angli

Mesazhet e tij për të rinjtë nga Kosova

Këtë përvojë, ai ua ka sugjeruar secilit që është i interesuar të aplikojë, por ai ka shtuar se pjesa më sfiduese është sigurimi i bursave, pasi numri i tyre është fatkeqësisht tejet i kufizuar.

Për ata që nuk kanë mundësi të studiojnë jashtë vendit por kanë talentin e mjaftueshëm, Shala ka thënë se një mundësi e mirë është bursa “Chevening”, e cila është prezente edhe në Kosovë, por sipas tij kushtet e saj (sidomos mbi përvojën e punës), shpeshherë janë të papërshtatshme për fusha të caktuara studimi.

Në temën e diplomës, Shala ka punuar nën udhëheqjen e Profesor James Maynard, i cili së fundi fitoi “Fields Medal”, e që konsiderohet si ekuivalenti i çmimit Nobel për matematikë.

James Maynard, profesor hulumtues në Universitetin e Oxfordit

“Përtej formaliteteve, është një përvojë e veçantë të punosh me matematikanë të tillë dhe të mësosh nga ta për qasjen ndaj matematikës, mënyrën e të menduarit dhe punës, si dhe për avancimet e këtij shekulli në matematikë”, ka thënë Shala.

Ai duke synuar të bëjë një paralele me situatën në Kosovë, në Oxford e sheh se nuk është perfeksionizmi apo mungesa e problemeve që i karakterizon universitetet prestigjoze, por në fakt sipas tij është pranueshmëria e ekzistencës së problemeve dhe qasja proaktive (ndonjëherë e ngadalshme), për zgjidhjen e tyre.

“Mendoj se kjo na mungon në Kosovë, veçanërisht një vetëdije kolektive, se situata nuk është mirë dhe duhet të përmirësohet. Shpeshherë mendoj se nuk jemi mjaftueshëm të zëshëm e ndoshta as të vetëdijshëm për këtë. E shoh si esenciale që këtë kulturë ta sjellim edhe në Kosovë”, ka thënë Shala për Portalin Dukagjini.

Mesazhi nga ai për të rinjtë e Kosovës ishte që të mësojnë dhe punojnë sa më shumë në mënyrë që ta kultivojnë pasionin e tyre, pasi sipas tij, puna e frymëzuar nga pasioni vlerësohet shumë më shumë sesa çfarëdo aktiviteti artificial që synim e ka pranimin në një universitet jashtë vendit.

“Pra, studimi jashtë vendit duhet të jetë pasojë, dhe jo qëllim në vetvete”, është shprehur Shala.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika