Bajram Begaj i cili më datë 4 qershor u zgjodh presidenti i Shqipërisë, të dielën e 24 korrikut, do të marrë pjesë në Presidencë, ku aty do të zhvillohet ceremoniali shtetëror për nisjen zyrtare si President i Shqipërisë.
Ky vendim erdhi nga Konferenca e Kryetarëve të hënën e 4 korrikut.
Emri i Bajram Begajt u bë publik nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili e kishte cilësuar Begajn si shëmbëlltyrë e normalitetit e e qytetarisë.
Begaj është presidenti i tretë i Republikës së Shqipërisë i cili vjen nga bota ushtarake.
Kush është Bajram Begaj?
Bajram Begaj, i lindur më 20 mars të vitit 1967, në Rrogozhinë të Shqipërisë, është një ish-oficer ushtarak dhe politikan shqiptar, i cili u zgjodh President i Shqipërisë të shtunën e 4 qershorit.
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj u zgjodh si kandidat nga kryesia e Partisë Socialiste për kreun e shtetit në Shqipëri.
Begaj u votua nga Kuvendi i Shqipërisë për rolin e presidentit i cili u zgjodh i tillë me 78 vota pro, 4 kundër dhe një abstenim.
Begaj u diplomua në Fakultetin e Mjeksisë në degën e Mjekësisë së Përgjithshme në vitin 1989 dhe u bë oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998, ai mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.
Presidenti i ri i Shqipërisë gjatë karrierës 31-vjeçare ushtarake ka kryer Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Kursin epecializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.
Gjithashtu Gjeneral Major Begaj ka drejtuar stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2021” dhe është një nga emrat, i cili gëzon konsideratë të lartë nga SHBA-të.
Në Forcat e Armatosura Bajram Begaj ka mbajtur një sërë detyrash, mes të cilave ai ka qenë Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor, poashtu edhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar.