Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, të premten e 11 nëntorit ka organizuar aktivitetin e ceremonisë së betimit të rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në fjalimin e tij ka thënë se kjo ditë është e veçantë pasi sipas tij, është numri më i madh i certifikuar në ushtrinë e Kosovës.
Po ashtu, ai ka treguar se konkursi i radhës do të hapet më 28 nëntor, pikërisht në ditën e pavarësisë së Shqipërisë.
“Qëllimi juaj dhe qëllimi ynë është sigurimi i paqes krahë për krahë me partnerët tanë. Kjo është rruga jonë dhe e vetmja rrugë. Të dashur ushtarë nuk mund të ecim përpara nëse nuk nderojmë të kaluarën. Për atdhe derdhim djersë, lot dhe gjak. Për të jetojmë dhe për te vdesim. Gjatë shërbimit tuaj brenda dhe jashtë vendit ecni gjithmonë me kokën lartë. Dijeni mirë që në venat tuaja keni ADN e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, keni ADN-n e komandantit Adem Jashari. Ushtria e tij është e pathyeshme dhe e pamposhtur. Jemi vizionar si Adem Demaqi dhe Trima si Adem Jashari”, ka deklaruar Mehaj, gjatë fjalimit të tij.
Në ceremoninë e betimit të rekrutëve të rinj të FSK-së ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Gluak Konjufca, i cili në fjalimin e tij ka theksuar se nuk ka paqe në botë pa hequr dorë Rusia nga Ukraina dhe Serbia nga Kosova.
Po ashtu, ai ka thënë se nga ana e tyre nuk ka pretendime territoriale por, se ndihen të kërcënuar nga pretendimet e Serbisë kundrejt territorit të Kosovës.
“Ushtria jonë po rritet e po forcohet ne Kosovën tonë sovrane e demokratike. Ushtria është e shtetit, e shteti është i popullit. Por për të lindur ky shtet u dashtë mund e sakrifica. Liria jonë e shenjtë i ka rrënjët në luftën e lavdishme, shteti ynë është i barabartë për të gjithë qytetarët tanë, kjo është një vlerë që u arrit me vështirësi dhe mençuri. Për ta mbrojtur lirinë tonë e kemi FSK-n jemi të dijshëm qe gjithçka e kemi bërë me aleatët tanë ShBA, prandaj orientimi jonë është i qartë, 23 vite me parë pikërisht NATO e ndali gjenocidin e Serbisë mbi popullit tonë”, është shprehur tutje Konjufca.
Ndërkaq, nga kjo ceremoni janë betuar 311 rekrutë të rinj për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovë. Gjithashtu, në ceremoni i pranishëm është edhe gjenerallejtënant Bekim Jashari.