Kryetari i ri i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi të enjten e 25 majit ka bërë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”.
Ai tha se, aktualisht, do ta ushtrojë detyrën e tij nga një zyrë në këtë fshat, por, sipas tij, “është afër dita” kur do të shkojë në komunë.
Ndërkaq, Dragana Miletiq pritet të zgjidhet nënkryetare e komunës së Leposaviqit.
Po ashtu sot u betuan edhe kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci.
Të tre ata u zotuan se do të punojnë në të mirë të qytetarëve, duke respektuar ligjin.
Ceremonia e betimit të Zeqirit u zhvillua në objektin e Zyrës komunale për komunitete në fshatin Çabër të Zubin Potokut, ndërsa Peci u betua në shkollën fillore “Isa Boletini” në fshatin Boletin të Zveçanit.
Që të tre kanë fituar mandatin për kryetar nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në komunat veriore të Kosovës më 23 prill.
Këto zgjedhje u organizuan, pasi Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në vend, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë për targat, u largua nga institucionet e Kosovës.
Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 3.47 për qind.
Javën që shkoi, më 19 maj, kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, e ka bërë betimin para kuvendit komunal.