Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, që të enjten ishte për vizitë te varri i Blerina Jasharit në Prekaz, thotë se është ndaluar për plot katër orë nga shërbimi sekret serb.
Ai thotë se u ndalua teksa po kthehej nga Kosova për në Serbi.
“Pasi u ndalova për 4 orë nga anëtarët e Agjencisë së Sigurisë Informative të Serbisë, më liruan për lëvizje të lirë”, ka shkruar Stojkoviq.
Tutje, ai ka thënë se zyrtarët e BIA-s që folën me të kishin një qasje profesionale duke bërë një krahasim me klientin e tij, Nikola Sanduloviq, i cili u keqtrajtua ditë më parë nga BIA.
“Zyrtarët e BIA-s që folën me mua kishin një qasje profesionale. Ata bënin pyetje që u interesonin dhe u sollën me mirësjellje. Nuk ndjeva asnjë armiqësi pavarësisht mosmarrëveshjeve tona. Tani Aleksandër Vuçiq duhet të shpjegojë pse qasje ndryshe në krahasim me Nikolla Sanduloviçin”, ka vijuar ai.
💆♂️
Nakon zadržavanja od 4 sata od strane pripadnika Bezbednosno informativne agencije Srbije, pušten sam na dalje slobodno kretanje.Moje puštanje nije posledica volje vlasti. Pušten sam zbog svesti vlasti da će ukoliko i ja budem uhapšen, pritisak svetske javnosti biti veoma… https://t.co/WIckyWX0yw
— Advokat Čedomir Stojković ☘️🇷🇸🇺🇦🌏 (@FIGHT_4_RIGHT_S) January 19, 2024
Stojkoviq thotë se paraburgimi prej katër orësh është rezultat i vendimeve të dikujt tjetër.
“Gjatë asaj kohe kemi pasur mundësi të shkëmbejmë mendime pa tension. Pa dyshim, ndoshta prokurori publik në Beograd mendon ndryshe. Të shohim kur të vijë koha”, tha ai.
Ndryshe, dje Stojkoviq bëri homazhe te varri i Blerina Jasharit në Prekaz.
“Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet paqe. Dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën “Më fal”.
Këto fjalë janë shkruar në letrën që ai la mbi varrin e Blerina Jasharit.
Fragmenti është shkruar në tri gjuhë, fillimisht në gjuhën shqipe, serbe dhe në gjuhën angleze.
Stojkoviq dje ishte i ftuar edhe në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, i cili ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se është më i keq sesa ish-shefi i propagandës naziste në kohën e Hitlerit, Joseph Gebbels.
Ndryshe, javë më parë, klienti i tij, opozitari serb, Nikola Sanduloviq, ishte arrestuar nga shërbimi sekret serb BIA, pasi kishte bërë homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ai ishte torturuar fizikisht nga shërbimi sekret serb.