Në një takim të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën në Ballkanin Perëndimor, rajon ku bëjnë pjesë Kosova, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje dhe Hercegovina
Presidenti Biden dhe kryeministrja Meloni, veçanërisht, kanë ndarë shqetësimin për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe kanë vendosur të koordinohen për të promovuar depërshkallëzimin dhe pajtimin mes palëve të konfliktit.
Sipas një deklarate për media, të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, ata kanë riafirmuar angazhimin që Ballkani Perëndimor të ketë siguri, stabilitet dhe prosperitet.
Në këtë kontekst, ata kanë veçuar rëndësinë e rolit të Kuintit.
“Shtetet e Bashkuara dhe Italia riafirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e tyre të gjatë për integrimin euroatlantik të rajonit. Ata vendosën të përforcojnë koordinimin për të favorizuar shtensionimin dhe pajtimin dhe pranuan rolin vendimtar të QUINT-it”, thuhet në deklaratën e tyre.
Në deklaratën e përbashkët, Shtetet e Bashkuara dhe Italia kanë shprehur mirënjohjen e tyre për angazhimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor dhe kontributin e forcave të armatosura italiane në misionet KFOR, EULEX dhe EUFOR Althea.
Kujtojmë se, që nga fundi i majit, tensionet në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.
Kryetarët e rinj u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët që atëherë po mbajnë protesta të vazhdueshme në tri komunat veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Më 29 maj ndodhi një përleshje mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Në mesin e ushtarëve të lënduar nga përleshjet e 29 majit ishin edhe 11 ushtarë italianë, si dhe 19 ushtarë hungarezë.
Situata mes Kosovës dhe Serbisë është përkeqësuar më shumë edhe më 14 qershor, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës, të cilët u liruan pas 13 ditëve nga Serbia.
Serbia ka thënë se ata “u arrestuan thellë brenda territorit të saj”, por Kosova ka njoftuar se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.
Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës janë kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar për shtensionim të situatës në veri, që është përkeqësuar dy muaj më parë.
Ndërsa, më 11 korrik, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.