Presidenti amerikan, Joe Biden dhe paraardhësi i tij, Donald Trump, çimentuan një përballje të re në zgjedhjet presidenciale të nëntorit dhe gjatë “Super të Martës” u rrit edhe presioni ndaj rivales së Trumpit, Nikki Haley, që të lërë garën në mesin e republikanëve.
Biden dhe Trump fituan në Kaliforni, Teksas, Alabama, Kolorado, Mejn, Oklahoma, Virxhinia, Karolinë të Veriut, Tenesi, Arkansas, Minesota dhe Masaçusets. Biden po ashtu fitojë garën në mesin e demokratëve edhe në Utah, Vermont dhe Ajova.
Haley fitoi në Vermont, duke ia mohuar Trumpit një fitore të plotë, por ish-presidenti fitoi në shtetet e tjera që mund të mos kenë qenë shumë favorite për të, sikurse Virxhinia, Masaçusets dhe Mejn, shtete që kanë numër të madh të votuesve të moderuar, që e kishin mbështetur Haley në zgjedhjet e mëparshme paraprake, raporton Rel.
Deri më vonë gjatë këtij muaji pritet të votojnë shtetet e tjera, që Biden dhe Trump zyrtarisht të marrin nominimin e partive të tyre për të garuar në zgjedhjet presidenciale. Por, gjatë “Super të Martës”, që është dita më e rëndësishme e zgjedhjeve paraprake, u bë e qartë se një përballje e sërishme Biden-Trump është pothuajse e sigurt. Sikurse Biden, 81 vjeç, ashtu edhe Trump 77 vjeç, vazhdojnë të dominojnë në partitë e tyre, pavarësisht se përballen me pyetje që kanë të bëjnë me moshën dhe me asnjërin që nuk kanë popullaritet të gjerë për zgjedhjet e përgjithshme.
Të vetmen garë që Biden e humbi të martën ishte në Samoan Amerikane, që është një territor i vogël i SHBA-së në Oqeanin Paqësor. Ai u mposht nga kandidati Jason Palmer, që fitoi 51 vota, kundrejt 40 votave që i fitoi presidenti amerikan.
Haley ndoqi rezultatet zgjedhore të “Super të Martës” larg syrit të publikut dhe fushata e saj nuk ka planifikuar asnjë ngjarje të re. Fushata e saj tha përmes një deklarate se rezultati reflektoi atë se kishte shumë republikanë “që po shprehin shqetësime të thella për Donald Trumpin”.
Ndërkaq, në pronën e Trumpit në Mar-a-Lago kishte shumë njerëz që shkuan në ndejën e fitores.
“Për një arsye e quajnë ‘Super të Martë’”, u tha Trump të pranishmëve. Më pas ai sulmoi Bidenin lidhur me kufirin SHBA-Meksikë dhe për tërheqjen e SHBA-së nga Afganistani.
Biden nuk mbajti fjalim, por lëshoi një deklaratë duke paralajmëruar se rezultatet e së martës i kanë lënë amerikanët me një zgjidhje të qartë dhe duke vënë në pah arritjet e tij pasi mposhti Trumpin në zgjedhjet e vitit 2020.
“Nëse Donald Trumpi kthehet në Shtëpinë e Bardhë, i gjithë ky përparim do të jetë në rrezik. Ai nxitet nga ankesat dhe hidhërimi, i përqendruar në hakmarrjen e tij e jo te populli amerikan”, tha Biden.
Pavarësisht dominimit të Bidenit dhe Trumpit në partitë e tyre, sondazhet e kanë bërë të qartë se elektorati i gjerë nuk dëshiron që zgjedhjet e sivjetme të përgjithshme të jenë identike me garën e vitit 2020.