Shtetet e Bashkuara shpresojnë që t’i zhbllokojnë dërgesat me ndihmë për civilët në Gazën e rrethuar pas sulmit brutal të militantëve të Hamasit, përderisa presidenti amerikan, Joe Biden, të mërkurën do të vizitojë Izraelin dhe Jordaninë.
Punëtorët e ndihmës kanë paralajmëruar se jeta në Gazë është afër një kolapsi të plotë për shkak të rrethimit izraelit, përderisa qindra mijëra persona po kërkojnë strehim, furnizimet me ujë dhe energji janë duke u pakësuar në spitale.
Në pikëkalimin në Rafah – që është pika e vetme që lidh Gazën me Egjiptin – dërgesat me ndihma po presin që të nisen drejt territorit të vogël e të mbipopulluar, ndërkaq civilët e bllokuar – shumica palestinezë me shtetësi të dyfishtë – po shpresojnë se do të lejohen që të largohen për në Egjipt.
Ndërmjetësit po tentojnë që të arrijnë një armëpushim për të hapur kufirin që u mbyll javën e kaluar pas sulmeve izraelite, por mëngjesin e së martës ishte e paqartë nëse kjo pikë kufitare do të vazhdojë të jetë e mbyllur.
Gjenerali Erik Kurilla, që udhëheq Komandën Qendrore të SHBA-së, ka shkuar në Tel Aviv për t’u takuar me autoritetet ushtarake izraelite para vizitës së planifikuar të Bidenit të mërkurën. Vizita e presidentit amerikan synon të shfaqë mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë për Izraelin. Biden po ashtu do të udhëtojë për në Jordani për t’u takuar me liderët arabë, mes frikës se luftimet mund të zgjerohen në një konflikt më të gjerë rajonal.
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, që u kthye në Izrael pasi vizitoi gjashtë shtete arabe, tha në Tel Aviv se SHBA-ja dhe Izraeli janë pajtuar që të zhvillojnë një plan për të lejuar që ndihma humanitare të arrijë te civilët në Gazë. Ka ende disa detaje që duhet të zgjidhen, por plani do të përfshijë “mundësinë e krijimit të zonave që do të mbajnë civilët larg rrezikut”.
Izraeli ka vazhduar sulmet ajrore në mbarë Gazën, përderisa është paralajmëruar edhe një pushtim i mundshëm tokësor, ndërkaq militantët e Hamasit kanë vazhduar sulmet me raketa dhe tensionet afër kufirit Izrael-Liban janë rritur.
Të paktën 2.778 persona janë vrarë dhe 9.700 të tjerë janë plagosur në Gazë, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në këtë territor. Mbi 1.400 izraelitë janë vrarë, shumica e të cilëve civilë që u vranë gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor.
Sulmet ajrore, pakësimi i furnizimeve dhe urdhri i Izraelit për evakuim masiv nga veriu i Rripit të Gazës kanë rritur dëshpërimin në territorin e populluar me 2.3 milionë banorë. Mbi 1 milion palestinezë janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe 60 për qind tani gjenden në zonën e evakuimit në jug të gjatë pothuajse 14 kilometra, kanë thënë Kombet e Bashkuara.
Në Gazë, spitalet janë në prag që të mbesin pa energji elektrike, gjë që vë në rrezik jetën e mijëra pacientëve dhe qindra mijëra palestinezëve që janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe që po kërkojnë strehim. Shumica nga palestinezët, për shkak të mungesës së furnizimeve me ujë, kanë nisur të pinë ujë të ndotur, duke rrezikuar edhe përhapjen e sëmundjeve./REL